E Diel, 1 Nëntor 2026

Bashkia e Beratit, 20 milionë lekë gjobë për Astrit Veliajn


BERAT - Konflikti për punimet që po kryhen në ish-godinën e maternitetit në qytetin e Beratit ka bërë që bashkia të vendosë një gjobë prej 20 milionë në adresë të investitorit Astrit Veliaj. Sipas zyrtarëve vendorë, pavarësisht rezistencës së hasur nga policia bashkiake, punonjësit vijojnë të kryejnë punime në godinë. "Edhe pse dy ditë më parë ne ndërhymë për të parandaluar shkatërrimin e konstruksionit të kësaj godine, kur në bashkëpunim me Policinë Pashkiake dhe atë të Rendit larguam punëtorët, përsëri aty punohet në kundërshtim me ligjin urbanistik, duke dëmtuar seriozisht strukturën e gjithë godinës, - deklaroi inspektori ndërtimor Bardhyl Pashaj. Sipas tij, në këto kushte është vendosur edhe gjobitja e Astrit Veliajt me 20 milionë lekë (të vjetër), jo vetëm për faktin që po punon pa certifikatë pronësie e pa leje ndërtimi, por edhe se po shkatërron një pronë shtetërore.

Përveç gjobës, nga ana e bashkisë janë marrë masa për mbrojtjen e objektit me roja të përditshme, pasi punëtorët rikthehen në vend pas largimit nga policia. Theksohet se sot Veliaj ka njoftuar studentët e regjistruar pranë Universitetit të Beratit për t'u paraqitur për nisjen e vitit të ri shkollor, por sipas informacioneve ka gjasa që ky njoftim të shërbejë për nisjen e një proteste ndaj Bashkisë, gjë që do ta ndërlikojë problemin edhe më shumë. Konflikti mes bashkisë së Beratit dhe investitorit Astrit Veliaj ka nisur në momentin që ky i fundit ka urdhëruar punëtorët e tij për të kryer punime në ish-godinën e maternitetit të këtij qyteti me qëllim kthimin e tij në një universitet privat. Nga ana e inspektoratit ndërtimor deklarohet se Veliaj nuk ka leje ndërtimi, ndërsa përveç gjobës bashkia i është drejtuar edhe prokurorisë.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›