Kablli elektrik jashtë kontrollit, vret fëmijën
TIRANE- Vdes aksidentalisht nga teli i korentit i tensionit të lartë 14- vjeçari Emiljano Dervishi, ndërsa po luante poshtë një shtylle. Ngjarja ndodhi dje në mesditë në fshatin Qesarakë të Dajtit, kur fëmija ka qenë duke luajtur, ndërsa mbi kokën e tij varej një tel korenti i tensionit të lartë që ishte shkëputur nga shtylla. Ai ka qenë duke kaluar pranë vendit ku varej teli dhe kablli i trashë i aluminit e ka prekur në kokë. Në kontaktin e parë me telin e energjisë elektrike, adoleshenti është karbonizuar tërësisht duke ndërruar jetë vetëm në pak çaste. Policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes menjëherë por nuk mund të ndërhynte për shkak se teli ishte ende në trupin e fëmijës dhe rryma që kalonte në kabëll ishte ende e aktivizuar. Pas uljes së automatit në një kabinë aty afër, policia ka ndërhyrë ndërsa ka nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes dhe shkakun e lënies së kabsllit të shtyllës të varur në atë gjendje.