Tetë ditë pa drita, 400 familje në protestë
SHKODËR - Rreth 400 familje në fshatin Grudë e Re të komunës Rrethina në Shkodër prej 8 ditësh ndodhen pa energji elektrike. Për këtë banorët kanë zhvilluar një protestë paqësore para drejtorisë së Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes së energjisë elektrike. Sipas tyre, shumica e familjeve i paguajnë faturat e energjisë elektrike, ndërsa ka disa familje që nuk kanë mundësi ekonomike dhe duke qenë tepër të varfra, nuk i kanë paguar. Banorët i përkasin pjesës tek ish-Vinoteka dhe kanë protestuar kundër dënimit kolektiv. "Na kanë thënë se duhet t'i paguajmë të gjithë dritat, por ne nuk mundemi t'i detyrojmë ato familje që nuk kanë mundësi të paguajnë, as nuk kemi mundësi të paguajmë për ta, - shprehen banorët e zonës.
- Të gjendet mënyra që edhe ne të tjerët të kemi energji elektrike. Dënimi kolektiv i të gjithë fshatit për disa familje që nuk paguajnë nuk është i drejtë, ndërsa ka 8 ditë që në shtëpitë tona as nuk vijnë faturat e energjisë elektrike", thonë banorët e pranishëm në protestë. Ata kërkojnë që të rikthehet energjia elektrike në fshat, pasi në të kundërt protesta do të përshkallëzohet edhe më tej.
Ata shtojnë se punonjësit vijnë një herë në 5 muaj për të mbledhur paratë e jo çdo muaj dhe, sipas tyre, janë punonjësit përkatës që janë të papërgjegjshëm për punën, dhe jo familjarët që me vështirësi sigurojnë jetesën. Banorët e Grudës së Re shprehen se për shkak të mungesës së energjisë kanë problem edhe me ujin e pijshëm, pasi ata përdorin puset private për të pasur ujë.
Lidhur me ankesat e tyre, drejtues të OSSH-së në Shkodër thonë se i gjithë fshati Grude e Re nuk ka paguar faturat, ndaj është marrë një vendim sipas të cilit abonentët duhet të paguajnë faturat, që më pas t'u rikthehet energjia elektrike. Drejtori i OSSH-së, Leonard Çekrezi, shprehet se abonentët do të vazhdojnë të qëndrojnë pa u furnizuar me energji elektrike në rast se nuk do të paguajnë faturat.