Dritan Dajti shtrohet në Spitalin e Burgut
Prej më tepër se dy javës ai qëndront në burgun 302, ku prindërit dhe ai vetë pretendonte se i mungonte trajtimi mjekësor
TIRANË- Dritan Dajti i njohur ndryshe edhe si "vrasësi" i katër agjentëve të policisë, që prej dy javëve ndodhej në paraburgimin "Mine Peza" pasditen e djeshme është shtruar në Qendrën Spitalore të Burgjeve në kryeqytet. Shkak për këtë shtrim të detyrueshëm, sipas personelit mjekësor të këtij institucioni, është bërë gjendja e tij jo e mirë shëndetësore, pasi ka pësuar disa komplikacione gjatë kohës së qëndrimit në paraburgimin "Mine Peza".
Për shkak të kësaj gjendje, pasditen e djeshme, konkretisht rreth orës 14:20 minuta dy furgona të policisë së burgjeve e kanë shoqëruar urgjencën mjekësore nga ambientet e 302 deri në Qendrën Spitalore të Burgut, ku i është nënshtruar ekzaminimeve mjekësore. Sipas këtyre burimeve, Dajti është ankuar për dhimbje të mëdha në shtyllën kurrizore dhe këmbën në të cilën ende ndodhet plumbi i agjentëve të policisë, të qëlluar ditën e arrestimit të tij më 7 gusht të këtij viti në Durrës.
Plagosje kjo e pësuar pas vrasjes së katër agjentëve të policisë, të cilët po tentonin ta arrestonin të shumë kërkuarin e ikur nga ambientet e Gjykatës së Shkallës së Parë në kryeqytet në vitin 2003. Sipas këtyre burimeve, Dajti do t'i nënshtrohet një ekzaminimi të hollësishëm mjekësor, pasi kohët e fundit ka pasur ankesa për dhimbje të forta në shtyllën kurrizore ku muaj më parë mjekët e Urgjencës së Qendrës Spitalore Universitare "Nënë Tereza" ia kanë hequr predhën e plumbit që ishte ndalur në fund të shtyllës kurrizore të pjesës së majtë të legenit.
Por, edhe pse i është bërë heqja e plumbit, Dajti ka probleme me lëvizjen e këmbëve, pasi plumbi i ka sjell dëmtime të nervave të shtyllës kurrizore e cila i ka paralizuar thuajse të gjithë këmbën. Ndërkohë, në këmbën e djathtë i pandehuri Dajti ka ende një predhë të plumbit të pa hequr, që sipas mjekëve të Spitalit, gjatë qëndrimit të tij këtu do të tentohet të hiqet edhe ai.