E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vetëvarja e 27-vjeçarit, dyshohet ndërhyrja në skenën e krimit

Polici në shërbim nuk ishte i instruktuar për të punuar me të paraburgosur

DURRËS - Menjëherë pas dhënies se njoftimit mbi vetëvarjen e kryer në dhomat e shoqërimit në Drejtorinë e Policisë së Durrësit nga ana e 27-vjeçarit Klodian Bushi, vendi ku ai u gjet i është nënshtruar një kontrolli të rreptë nga ekspertët e Tiranës. Pas kësaj hetuesit kanë konstatuar se polici i ndodhur në shërbim në ato momente nuk ka qenë i instruktuar për të punuar me të paraburgosur. Ai ishte i komanduar dhe kryente më parë detyrën e policit të rojës. Dërgimi i tij në këtë detyrë ka qenë pa letra shërbimi e transferimi. Megjithatë të dhënat konfidenciale nga punonjës të brendshëm të policisë bëjnë të ditur se nënoficeri i shërbimit B.Gjergji është marrë në procedim penal në gjendje të lirë.

Pas vetëvrasjes së 27-vjeçarit Klodian Bushi, nga ana e prokurorisë është konstatuar se dhomat e shoqërimit nuk plotësojnë standardet e duhura. Lidhur me këtë mangësi, para disa kohësh në një inspektim që ka bërë Avokati i Popullit ka konstatuar se Dhomat e Paraburgimit të Drejtorisë së Policisë në Qarkun e Durrësit nuk i plotësojnë standardet sipas kritereve të miratuara nga rregulloret e burgjeve.

Vetëvarja e Bushit ka pasur edhe kontradikta. Në momentet e para, nga ana e policëve që shoqëruan viktimën për në spital u deklarua se vetëvarja ishte kryer me një xhaketë, e më pas u tha se ishte përdorur trikoja e leshtë që kishte veshur viktima. Por në variantin përfundimtar, nga ana e policisë u deklarua se vetëvarja është kryer me benevrekët. Në mëngjes, sipas burimeve të besueshme, nga ekipi i ekspertëve ka gjetur një palë benevrekë të hedhura në mjediset e banesave poshtë ndërtesës së Drejtorisë së Policisë, çka hodhi dhe hipotezën për përdorimin e tyre për vetëvarjen. Hetuesit po kërkojnë që të saktësojnë se kush e ka lëvizur nga vendi i ngjarjes mjetin me të cilin u krye krimi.

Klodian Bushi bashkë me të shoqen u ndaluan pas dyshimit se ishin autorë të vjedhjes së shtëpisë së një shtetaseje në datën 9 nëntor. Teksa e shoqja ballafaqohej me denoncuesen, 27-vjeçari u vetëvar në dhomat e shoqërimit. Ngjarja ndodhi rreth orës 19:30 të së enjtes. Mësohet se viktima ishte dënuar 5 herë për vjedhje. M.Brunga

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›