Bashkia e Elbasanit, asnjë ndërhyrje për projektet e zhvillimit të kalasë
Deputeti i Elbasanit, Ardian Turku, njëherazi edhe nënkryetar i Kuvendit, ka akuzuar kreun aktual të Bashkisë, Qazim Sejdini, për mosrealizimin e projekteve zhvillimore të kalasë së qytetit të Elbasanit. Gjatë një konference për shtyp, Turku tha se Bashkia e Elbasanit, me kryetarin e saj, Qazim Sejdini, në programin e tij për një mandat të dytë, ka paraqitur idetë e tij për zhvillimin e kalasë së Elbasanit, krye-objekti i trashëgimisë kulturore i qarkut dhe qytetit të Elbasanit, por në fakt nuk ka bërë asnjë ndërhyrje apo investim të brendshëm gjatë katër viteve të kaluara.
Duke iu referuar punës katër vjeçare të kryetarit aktual të bashkisë, Turku tha se “gjatë mandatit katër vjeçar 2007-2011 kreu aktual, në planet zhvillimore të qytetit, ka pasur të parashikuar ndërhyrjen totale për rikonstruksionin dhe rivitalizimin e jetës së kalasë, duke synuar edhe zhvillimin e turizmit, por aktualisht kemi një Kala ku nuk futet asnjë vizitor, veç banorëve, është një kala e vdekur”. Ai bëri të ditur se, “bashkia e Elbasanit dhe stafi që po mbyll mandatin, në vitin 2007 gjeti të sapo-përfunduar studimin për vlerat dhe mënyrat e ndërhyrjeve në Kala dhe për pasojë gjithçka që duhej për të filluar ndërhyrjet, por nuk është bërë asnjë gjë”. Në projektin me Bankën Botërore, bashkia e Elbasanit, e shpallur bashki lider nga ajo në vitin 2006, do të përfitonte rreth 7 projekte madhore dhe ku prioritari ndërmjet tyre do të ishte ndërhyrja totale në infrastrukturën nëntokësore inxhinierike, rrugët dhe ndriçimin e kalasë. Në fakt, bashkia nga shtatë projekte ka realizuar vetëm atë me Bankën Botërore, për disa fasada pallatesh, duke shmangur Kalanë si prioritet.
Ministri Imami prezanton kandidatin në komunën e Bradasheshit
Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, i cili është edhe drejtuesi i shtabit elektoral të zgjedhjeve të 8 majit në Qarkun e Elbasanit, prezantoi dje në Bradashesh, rreth 11 kilometra larg qytetit të Elbasanit, kandidatin për kryetar komune të “Aleancës për Qytetarin”, Sabri Sollaku. Imami vuri në dukje se gjatë këtyre katër viteve në këtë komunë është punuar shumë në drejtim të infrastrukturës, dhe kjo ka ardhur si pasojë e vjeljes së taksave nga operatorët industrialë, por edhe nga bashkëpunimi që kryetari aktual, Sabri Sollaku, i cili kërkon një mandat të katërt, ka realizuar me donatorët.
Duke e cilësuar Komunën e Bradasheshit si një ndër dhjetë komunat më të mëdha në vend për nga zhvillimi, Imami deklaroi se “hapja e rrugës me tunel Elbasan-Tiranë do ta kthejë Bradasheshin në një miniqytet, ku do të rritet numri i bizneseve, veç kompanive industriale që operojnë në territorin e kësaj komune”. Gjatë prezantimit të kandidatit për kryetar Komune, Imami premtoi se “vitin e ardhshëm në këtë komunë do të ndërtohet një shkollë e mesme, ku të rinjtë e të rejat e Bradasheshit të kenë mundësi të studiojnë në komunën e tyre dhe të mos u drejtohen gjimnazeve të Elbasanit”. Nga ana e tij kryetari aktual i Komunës Bradashesh, Sabri Sollaku, i cili kërkon një mandat të katërt, premtoi se në katër vitet e ardhshme do të asfaltohen të gjitha rrugët e fshatrave, do të investohet në kanalizime e ujësjellësa, rikonstruksionin e rrjetit vaditës për të gjithë fshatrat, etj.