“Pogradeci ka nevojë për një qytetar të parë që e sheh veten jo si pronar, por si shërbëtor të tij”

Ilir Meta prezanton në Pogradec kandidatin Luan Topçiu, akuza për shpërdorim fondesh kryebashkiakut aktual
Kryetari i LSI-së Ilir Meta ka prezantuar sot kandidatin e koalicionit “Aleanca për Qytetarin” për bashkinë e Pogradecit Luan Topçiu. Në fjalën e tij kreu i LSI-së Meta ka theksuar se Luan Topçiu është kandidati i denjë për Pogradecin i cili parti të vetme ka qytetin. “Në këto zgjedhje është e vështirë që të gjesh një figurë si Luan Topçiu që partinë e vetme ka Pogradecin prandaj edhe slogani i tij ‘gjithçka për Pogradecin’ tregon pasionin e tij për të dhënë kontributin në zhvillim të qytetit”, theksoi Meta.
Meta gjithashtu është shprehur i sigurt se koalicioni “Aleanca për Qytetarin” do të marrë mbështetjen e qytetarëve të Pogradecit në zgjedhjet e 8 majit.
“Ju jemi dëshmitarë që fondet e bashkisë janë shpërdoruar duke qepur dhe shqepur rrugët e këtij qyteti. Pogradeci ka nevojë për një vizion të ri, dhe unë jam i bindur që intelektualët e qytetit që janë të shumtë, të cilët kanë qenë të mënjanuar dhe të papërfillur nga kryetari aktual do të jenë bashkëpunëtorët më të mirë të Luan Topçiut”, theksoi Meta. Gjithashtu Meta shtoi se Luan Topçiu nuk e kërkon bashkinë e Pogradecit për ta përdorur për qëllime politike ndërsa theksoi se tashmë një erë e re do të fryjë këtë qytet dhe do të ripërtërijë të gjitha traditat e nëpërkëmbura të qytetit.
“Pogradeci meriton një të ardhme tjetër, meriton një kryetar baskie i cili ta shohë këtë qytet si qytetin e tij dhe Luan Topçiu është një djalë i denjë i Pogradecit brez pas brezi. Pogradeci ka nevojë për një qytetar të parë i cili nuk e sheh vetën si pronar të qytetit por si shërbëtorin e parë të qytetarëve të tij, duke u kujdesur që ata të gjithë së bashku të ecin përpara në një të ardhme më të mirë. Pogradeci ka nevojë për një kryetar bashkie i cili në radhë të parë të vendosë interesat e qytetarëve dhe jo ato të tij sikurse ka ndodhur deri tani. Për një kryebashkiak i cili të ketë në rendin e parë luftën kundër papunësisë, hapjen e vendeve të reja të punës dhe këto janë pjesë e programit të Luan Topçiut dhe në mbështetjen që ai do të sigurojë nga qeveria dhe të gjithë partnerët e tjerë që do të mbështesin projektet në këtë drejtim”, tha më tej, kreu i LSI-së, Ilir Meta.