E Diel, 1 Nëntor 2026

Bashkia e Elbasanit pengon investimet që i shërbejnë qytetit dhe qytetarëve

24-04-2011 / Gazeta 55

Shoqëria ndërtuese ELBER sh.p.k apel Qazim Sejdinit: “Lësho lejen e punimeve për përmirësimin e shërbimeve ndaj komunitetit”

Edhe pse e njohur si njësi vendore anti-biznes dhe anti-shërbesa ndaj qytetarëve, bashkia e Qazim Sejdinit po del hapur si armike e qytetarëve të saj. As më shumë e as më pak, për të vërtetuar vandalizmin e bashkisë së Sejdinit, mjafton të kujtojmë heqjen e lejes së punimeve shoqërisë ndërtuese ELBER sh.p.k, ndërmarrja ujësjellës kanalizime, e cila po kryente detyrimin e saj ligjor duke furnizuar me ujë të pijshëm qytetin dhe larguar ujërat e ndotura. ELBER sh.p.k i bën thirrje bashkisë së Elbasanit të lëshojë lejen e punimeve, pasi me këtë vendim i vjen në ndihmë qytetit dhe qytetarëve.
“Shoqëria ELBER sh.p.k, ndërmarrja ujësjellës kanalizime, Elbasan deklaron publikisht para opinionit publik elbasanas për ta vënë atë në dijeni, se Bashkia Elbasan po merret me shpifje kundrejt saj. Ju informojmë se ELBER sh.p.k obligim ligjor ka, kryerjen e shërbimit të “Furnizimit me ujë të pijshëm dhe largimin e ujërave të ndotura” në qytetin tonë, të cilin po e kryen si një shërbim prioritar ndaj qytetarëve. Po ju bëjmë me dije se shoqëria jonë i ka dërguar në formë shkresore bashkisë Elbasan, dy kërkesa për leje pushimesh që në datën 7 prill 2011 dhe bashkia jo vetëm që nuk na i ka dhënë ende lejet përkatëse, por publikon shpifje dhe gënjeshtra”- thuhet në një reagim publik të kompanisë ndërtuese ELBER sh.p.k.
ELBER sh.p.k ka kërkuar leje konkretisht Për zbatimin e investimit në zonën NSHU me vlerë 10 milion lekë të vjetra “Për rinovimin e sistemit të ujësjellësit” si dhe “Për investimin tjetër të ri, me vlerë 50 milionë lekë të vjetra “Për sistemimin e ujërave të zeza ne Lagjen 5 maji”, investim ky i kërkuar ngultazi nga vetë banorët si dhe Drejtoria e Higjienës”. “Bashkia Elbasan jo vetëm nuk na pajisi me lejet respektive por keq informoi opinionin qytetar me një njoftim të gënjeshtërt në lidhje me detyrën tonë ndaj qytetarëve. I drejtohemi Bashkisë Elbasan që të lejojë dhe të na mundësojë zbatimin e investimeve tona, që janë përparësi për ne”- vijon reagimi i shoqërisë ndërtuese ELBER sh.p.k.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›