Protesta/Lëvizja “Zgjohu”: Bashkia e Tiranës lëshon mbi kokat e qytetarëve kabllot dhe telat

Lëvizja qytetare “Zgjohu” ka protestuar dje ndaj indiferencës së Bashkisë për menaxhimin e kabllove, telave etj. Duke u fokusuar në një prej zonave më problematike të këtij fenomeni, në “Komunën e Parisit”, përmes sloganit “Çfarë duhet të ishte nën tokë, e kemi mbi kokë”- lëvizja “Zgjohu” akuzoi Bashkinë e Tiranës se s’ka investuar në sistemimin nën tokësor të kabllove dhe telave. “Jemi në Rrugën Komuna e Parisit, në një nga lagjet më të reja të Tiranës. Jemi mësuar të shikojmë çdo ditë këtë peisazh me tela e kabllo që varen mbi kokat tona tek ecim përgjatë trotuareve të sapo shtruar elektoral. Është një vend tipik ku mund të thuash se pjesa nëntokësore e qytetit është më e rëndësishme se fasadat apo këto punime te përkohshme”- u shpreh kreu i lëvizjes qytetare “Zgjohu”, Zirkon Disha. Sipas tij, është detyrë e Bashkisë së Tiranës dhe përgjegjësi e saj të kërkojë standarde për punimet e rrugëve që tenderon. “E gjithë kjo rrjetë e rrezikshme telash, kabllosh, që varet mbi kokat e kalimtarëve, banorëve taksapagues është një kosto e shtuar për cilësinë e shërbimeve që ju duhet të fluturojnë sepse kryetari i bashkisë nuk ka dashur t’ia dijë nëse është respektuar ndonjë standard për shtrimin e kësaj rruge apo jo në momentin që bëri inaugurimin. Ne sot pyesim a ka ndonjë projekt në kasafortën e kryetarit në detyrë të bashkisë për menaxhimin e rrjetave kabllore që varen mbi kokat e taksapaguesve. Përse në shtrimin e kësaj rruge nuk u hap asnjë kanal që këto kabllo që i kemi mbi kokë të ishin nën tokë?”- tha më tej kreu i lëvizjes qytetare “Zgjohu”, gjatë protestës ndaj bashkisë së Tiranës, për keq administrim të qytetit të Tiranës.
...