Fokus/1600 vëzhgues do të monitorojnë zgjedhjet vendore të 8 majit
Skadon afati i fundit zyrtar për regjistrimin e vëzhguesve shqiptar pranë KQZ-së për zgjedhjet vendore të 8 majit. Deri tani janë rreth 1600 vëzhgues shqiptarë që do të monitorojnë zgjedhjet lokale. 900 prej tyre janë të koalicionit të vëzhguesve vendor. Gerta Meta, përfaqësuese e koalicionit të vëzhguesve për zgjedhjet e 8 majit, në një prononcim për mediat thotë informacioni nga të gjitha rrethet e Shqipërisë do të vijë në Tiranë nëpërmjet një qendre operative. Një ekip vëzhguesish do të monitorojë mesatarisht 20 qendra votimi. “Për herë të parë do të jetë në fokus pjesa rurale se çfarë ndodh realisht në zonat e thella. Koalicioni i vëzhguesve vendorë ditën e zgjedhjeve do të jetë ‘non stop’ duke ngritur një qendër operative. Një moment shumë i rëndësishëm ku vëzhguesit tanë do të jenë prezent në mbylljen e qendrës së votimit dhe në momentin kur do të dorëzohen materialet pranë komisioneve zonale. Ajo që shkon më tej është momenti final dhe momenti më i nxehtë që vazhdimisht ne si koalicion e kemi prekur dhe në metodologjinë tonë të radhës që në fillimin e procesit të numërimit të votave, ne do të jemi prezent për të parë cila do të jetë ngarkesa dhe problematika e fillimit të procesit të numërimit duke vëzhguar të gjitha grupet e numërimit të votave”- shpreh Gerta Meta, përfaqësuese e koalicionit të vëzhguesve për zgjedhjet e 8 majit. Qarqet me më shumë vëzhgues do të jenë Tirana, Elbasani dhe Fieri. Ndërkohë që koalicioni i vëzhguesve vendor do të përqendrojë monitorimin edhe në zonat rurale për të evidentuar nëse më 8 maj do të ketë ri-përsëritje të fenomenit të votimit kolektiv. Ndryshe nga vëzhguesit shqiptarë, të huajt do të ketë afat për t’u regjistruar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve 72 orë përpara nisjes së procesit të votimit. Largimi i komisionerëve gjatë votimit, KQZ plan B me arsimtarët/Fenomeni i braktisjes së qendrës së votimit gjatë kohës që procesi vazhdon, duket se do të marrë fund. Mësuesit do të jenë kontingjenti rezervë që do të përdorë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në rast se më 8 maj komisionerët do të largohen nga qendrat e votimit. Për të penguar largimin e komisionerëve nga qendrat e votimit në zgjedhjet e 8 majit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të hartojë një projekt-akt në mënyrë që të pengojë këtë largimin e komisionerëve. Kryetari i KQZ-së, Arben Ristani e ka konsideruar fenomenin e largimit të komisionerëve nga detyra më 8 maj si krim duke paralajmëruar se institucioni që ai drejton do të bashkëpunojë me policinë e shtetit për të goditur ashpër këtë krim në kohën e duhur.“Ky krim duhet të marrë patjetër një goditje të shpejtë dhe të fortë. Për këtë ne mund të përpunojmë disa rregulla për komisionin e qendrës së votimit i cili menjëherë në rast se konstatojmë këtë lloj krimi të bëjmë kallëzimin përkatës në polici dhe në organet e prokurorisë”- theksoi kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ristani. Ndërsa anëtari i Partisë Demokratike në komision, Njazi Kosovrasti është shprehur se kontingjenti i vetëm, i domosdoshme, dhe me të gjitha mundësitë mbeten mësuesit.“Ku do të gjenden njerëzit të cilët do të zënë vendet e atyre? Jo të gjitha vendet, por aq sa numri i domosdoshëm të sigurohet dhe Komisioni të mund të funksionojë. Në çdo skaj të vendit ka shkolla, zotërinj anëtar të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Në çdo shkollë ka mësues. Nuk e dimë angazhimin e tyre. A janë të angazhuar me PD, me PS apo me Ballin apo me PBDNJ, etj. Mendoj se ky është kontigjenti i vetëm, i domosdoshëm, me të gjitha mundësitë. Mbi bazën e një planifikimi apo një vendimi të hollësishëm që mund të merrni ju unë kam listën e të gjitha shkollave të Shqipërisë me numrin e mësuesve për çdo shkollë, çka përbën një kontigjent të shkëlqyer”- u shpreh Kosovrasti. Pritet gjithashtu që administrata e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve do të hartojë një projekt-akt të propozuar nga kreu i KQZ-së, Ristani duke pasur gjithashtu në fokus edhe krijimin e mbi 4800 vulave shtesë.
...