Edi Rama, kopjac i projekteve dhe alternativave të Lulzim Bashës
LSI-Meta prezanton kandidatët e “Aleancës për Qytetarin” në Devoll
Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, prezantoi dje në qytetin e Bilishtit, kandidatët për kryetar bashkie dhe komune për njësitë e qeverisjes vendore të rrethit të Devollit. Në fjalën e tij Meta shprehu bindjen se më 8 maj, Devolli do të votojë projektin e përbashkët të koalicionit “Aleanca për Qytetarin” dhe kandidatët e saj në të pesta njësitë e qeverisjes vendore të këtij rrethi. “Zgjedhjet e 8 majit janë zgjedhje për qytetarin, për të përmirësuar jo vetëm shërbimet e përditshme ndaj tij, por edhe infrastrukturën, punësimin e njerëzve dhe ju do të votoni për ata që paraqesin projekte që përmirësojnë jetën tuaj”- nënvizoi Meta. Më tej kreu i LSI-së e cilësoi fushatën e opozitës një “anti-fushatë”, pasi sipas tij, ajo nuk ka alternativa. “Në krahun tjetër kemi ata, që nuk bëjnë fushatë për të zgjidhur problemet e qytetarëve, por për të bërë luftë politike me qeverinë. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, që prej gjashtë vjetësh nuk po gjen dot një njeri tjetër për ta kandiduar përveç vetes, por opozita nuk mund të vlerësohet në sajë të përpjekjeve që bën për të luftuar qeverinë, por nga programi që ka”- tha Meta. Gjithashtu, ai u ndal edhe në programet elektorale duke ironizuar përpjekjet e Edi Ramës për ta kthyer fushatën e zgjedhjeve vendore në luftë politike dhe kopjimin që po i bën ai fushatës dhe alternativave që ka sjellë dhe po sjell Lulëzim Basha. Meta përmendi kopjimet e projekteve të kandidatit Basha nga Edi Rama për hapjen e vendeve të reja të punës, ndërtimin e linjës së tramvait, thjeshtimin e taksave dhe deri betonizimin e Tiranës. Në përfundim, kreu i LSI-së shprehu bindjen se në rrethin e Devollit në të pesta njësitë e qeverisjes vendore, elektorati do të votojë “Koalicionin për Qytetarin” dhe sipas tij, “rezultati do të jetë pesë me zero”.
Ndërsa kandidati për kryetar bashkie në bashkinë e Bilishtit, Valter Miza, vuri në dukje projektet e realizuara për katër vitet që kaluan në infrastrukturën rrugore, shpalosi projektet e reja për katër vitet e ardhshme, duke theksuar ndërtimin e ujësjellësit të këtij qyteti, i cili do të financohet me 7.5 milion euro nga qeveria austriake dhe ajo shqiptare, për të cilin ditët e fundit ka përfunduar tenderi dhe është përzgjedhur edhe firma ndërtuese.