E Diel, 1 Nëntor 2026

Mazhoranca synon ta bëjë Shqipërinë vend të zhvilluar brenda vitit 2017

24-04-2011 / Gazeta 55

Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli prezanton kandidatin e mazhorancës në komunën Golem

Kryetarja e Parlamentit dhe Nënkryetarja e PD, Jozefina Topalli ishte dje e pranishme në takimin elektoral, në komunën e Golemit, ku shprehu mbështetjen për kandidatin e koalicionit “Aleanca për Qytetarin”,  Engjëll Murrizin i cili kandidon për kryetar të kësaj komune. Kryeparlamentarja Topalli deklaroi gjatë këtij takimi elektoral në komunën e Golemit se “zgjedhjet e 8 majit duhet të jenë një model qytetarie”. Kryetarja e kuvendit u ndal gjithashtu edhe në progresin dhe transformimin e madh që, Shqipëria ka bërë veçanërisht gjatë viteve të fundit,  falë filozofisë, doktrinës së qeverisë dhe liderit të mazhorancës, kryeministrit Sali Berisha. “Ju i keni dhënë votën dhe i keni besuar Sali Berishës dhe mazhorancës aktuale. Ne kemi bërë të mundur që të mbajmë fjalën, që premtimin e bërë dy vite më parë ta bëjmë një realitet. Natyrisht premtimet nuk kanë qenë të thjeshta, kanë qenë të vështira, jashtëzakonisht të vështira, por duhej vetëm vullneti i fortë, guximi, kurajoja dhe dashuria për vendin, për t’i bërë të mundura këto reforma”- u shpreh kryeparlamentarja Topalli. Më tej, kryetarja e kuvendit, Topalli u shpreh se mazhoranca i ka vënë vetes një objektiv ambicioz, për ta bërë Shqipërinë një vend të zhvilluar brenda vitit 2017 duke vënë theksin te projektet e zhvillimit të infrastrukturës dhe turizmit,  të cilat do të bëjnë të mundur arritjen e një objektivi të tillë. Topalli theksoi ndër të tjera se, rritja ekonomike e Shqipërisë vazhdoi në një kohë kur, vendet e tjera janë në krizë të thellë. Kryetarja e Kuvendit dhe Nënkryetarja e PD-së, Topalli u ndal gjerësisht në zgjedhjet e 8 Majit, për të cilat  theksoi se, ato janë zgjedhje për pushtetin vendor dhe pikërisht, për këtë arsye këto janë zgjedhje të rëndësishme, sepse kanë të bëjnë direkt me qytetarin.“Si shqiptarë ne kërkojmë zgjedhje të qytetëruara, si shqiptarë ne nuk pranojmë kurrë kulturën e dhunës, si shqiptarë ne e refuzojmë kulturën e dhunës. Si shqiptarë ne nuk urrejmë asnjeri, askënd dhe asgjë. Si shqiptarë ne duam qetësinë, si shqiptarë ne duam paqen. Si shqiptarë do të bëjmë të mundur që zgjedhjet e 8 majit të jenë zgjedhjet më të lira dhe më të qytetëruara që kemi njohur ndonjëherë”, nënvizoi kryeparlamentarja  Topalli. Duke përfunduar fjalën e saj, kryetarja e Kuvendit kërkoi edhe njëherë mbështetjen e banorëve të Golemit për kandidatin e koalicionit “Aleanca për Qytetarin” Engjëll Murrizit,  duke theksuar se vizioni i tij , do ta kthejë Golemin ndër të tjera, një qendër turistike nga më të vizituarat.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›