Luan Rama: Projekti i mazhorancës, për qytetin dhe qytetarët

LSI prezanton kandidatin e “Aleancës për Qytetarin” në Burrel, Skënder Lleshi
“Koalicioni “Aleanca për Qytetarin” është alternativa më e mirë në këto zgjedhje”- kështu ka deklaruar sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama gjatë një takimi elektoral në rrethin e Matit ku prezantoi edhe kandidatin e të koalicionit për Bashkinë e Burrelit, Skënder Lleshin. Në këtë takim, organizuar në mbështetje të kandidatit për Bashkinë e Burrelit, Skënder Lleshit,sekretari i përgjithshëm i LSI-së, Rama u shpreh se mazhoranca vjen në këto zgjedhje me premtime konkrete dhe me program të qartë.
“Jam i bindur se në 8 maj duke votuar për “Aleancën për Qytetarin” duke votuar për Skënder Lleshin dhe për LSI-në, ju votoni për një projekt i cili vë të parin qytetarin e Burrelit. Ju votoni për një projekt i cili merret seriozisht me problemet e qytetarëve me problemin e punësimit ndaj është për t’u përshëndetur vizioni i kandidatëve të “Aleancës për Qytetarin”, u shpreh sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes Socialiste për Integrim Luan Rama. Më tej, Rama vlerësoi kontributin e LSI-së në qeverisje duke theksuar se roli i saj ka qenë thelbësor duke bërë të mundur edhe liberalizimin e vizave për Shqipërinë. “Është LSI-ja ajo që shmangu një problem të madh që i kanosej vendit. Nëse LSI-ja nuk do të bënte këtë zgjedhje, qytetarët shqiptarë nuk do të mund të udhëtonin sot pa viza në të gjithë hapësirën Evropiane. Ndaj dhe vota juaj për kandidatin e Bashkisë së Burrelit, Skënder Lleshin dhe për LSI-në është një votë për të respektuar më shumë dhe për t’i shërbyer më mirë qytetarit këtu në Burrel”, nënvizoi sekretari i përgjithshëm i LSI-së, Rama. “Alternativa e LSI-së dhe e këtij koalicioni është një hap përpara për këtë qytet dhe për këtë komunitet, për një jetë më të mirë, për më shumë harmoni në mes të këtij komuniteti të mrekullueshëm”- u shpreh Rama. Duke kërkuar votën për LSI-në, Rama ka theksuar se LSI-ja nuk ka ardhur asnjëherë para qytetarëve të vetë pa alternativë konkrete.