Bashkia e Fierit: Do të padisim zyrat e aplikimit
Bashkia e Fierit do të padisë zyrat e aplikimit për kartat e identitetit, nëse prej Ministrisë së Brendshme dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile nuk do të pranohet skandali me letërnjoftimet e reja në Fier, si dhe nuk i jepet zgjidhje këtij skandali. Këshilltari politik në Bashkinë e Fierit, Myzaljen Hoxhaj, si dhe kreu i bashkisë, Baftjar Zeqaj, deklarojnë se do të ndjekin rrugën ligjore për papërgjegjshmërinë e treguar nga operatorët e aplikimit. Sipas kryebashkiakut të Fierit, Baftjar Zeqaj, dy operatorë të qytetit kanë djegur të dhënat e më shumë se tremijë aplikuesve. "Ata jo vetëm që i kanë djegur këto të dhëna, por vijojnë të mashtrojnë popullatën. Kjo e fundit ka aplikuar për karta kundrejt taksës së qeverisë, që ishte 1200 lekë. Tani, kur aplikuesit duhet të ishin pajisur me karta, prej operatorëve nuk jepet asnjë shpjegim. Zgjidhja e munguar nga drejtuesit më të lartë, si dhe ministria përkatëse që po merret me këtë problem, na detyron ne si bashki që t‘u drejtohemi organeve të drejtësisë", tha për gazetën kreu i bashkisë, Zeqaj. Ndërkohë, këshilltari politik, Myzaljen Hoxhaj, tha se u është lënë afat fundi i javës për të reaguar ndaj akuzave, në të kundërt do të depozitohet padia në gjykatën dhe prokurorinë e rrethit. Nga ana tjetër, prefekti Shahin Bejdaj ka pranuar dje për herë të parë problemet me kartat. "Është e vërtetë që me dy operatorë ka pasur probleme. Nuk besoj të jetë një numër aq i lartë sa deklarohet", tha Bejdaj. Megjithatë, prefekti skandalin e kartave e ka konsideruar sërish si një sulm politik që nxitet nga opozita.