E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pajisja me karta, masa ndëshkuese edhe për invalidët

Në Qarkun e Dibrës, ku bëjnë pjesë rrethet Dibër, Bulqizë dhe Mat, vazhdojnë problemet në procesin e pajisjes me kartat e identitetit. Veç vështirësive që hasen në zona të thella malore si: shitja e kuponëve me çmimin 1200 lekë, mungesa e transportit falas, radhët e gjata etj., vendimi i qeverisë për nisjen e penalizimeve, duke filluar nga 1 maji është bërë problem më vete. Kështu, sipas këtij vendimi, nisja e penalizimeve për të gjithë votuesit që nuk kanë aplikuar për marrjen e kartës së identitetit duket se nuk do të kursejë as invalidët paraplegjikë dhe tetraplegjikë, të cilëve sëmundja u ka privuar mundësinë e aplikimit. Në asnjërën nga 32 qendrat e aplikimit të ngritura në këtë qark, nuk mund të marrësh përgjigje në lidhje me mënyrën që do ndiqet për t‘u dhënë mundësi personave të kësaj kategorie për të aplikuar. Burime nga zyrat postare të këtij qarku, bëjnë me dije për "Shqip" se ende nuk u ka ardhur ndonjë udhëzim i veçantë për këtë kategori, ndërkohë që nga zyrat e sigurimeve shoqërore është kërkuar të mos u jepet pensioni të gjithë atyre që nuk kanë aplikuar. Një situatë e tillë i ka revoltuar invalidët, pasi siç shprehen ata vetë, përkundër dëshirës për aplikim qëndron pamundësia e tyre për realizimin e këtij procesi. Madje një vendim i tillë për të ndalur pagesat për ka vënë në vështirësi edhe administratën e njësive vendore, që e ka të pamundur zbatimin e vendimit të qeverisë për t‘i penalizuar. Ndërkohë mësohet se ka edhe mjaft raste kur banorët nuk kanë mundur të aplikojnë për shkak të gabimeve në regjistrat themeltarë të gjendjes civile.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›