E Shtunë, 31 Tetor 2026

Infermierët kërkojnë diplomë të standardizuar

Infermierët duhet të kenë diplomë të njëjësuar, të standardizuar si në sistemin arsimor publik, ashtu edhe në atë privat. Dje, në konferencën e parë të infermierëve, kreu i Urdhrit të Infermierit, Sabri Skënderi, deklaroi se ndihmësmjekët duhet të kenë të njëjtën diplomë, pavarësisht studimeve apo metodave me të cilat mësojnë në fakultetin shtetëror apo në ata privatë. Dje në konferencë kanë qenë të pranishëm Kryeministri Sali Berisha dhe ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo. Ata kanë përshëndetur nismën e infermierëve, ndërkohë që premtuan se në vëmendje të qeverisë janë si reformat, ashtu edhe përmirësimi i kushteve për këtë kategori. "Problematikën e trashëguar nga formimi bazë i ndryshëm ndër vite, mendojmë ta zgjidhim me formim të vazhdueshëm profesional dhe kërkojmë që Qendra Kombëtare e Edukimit në vazhdim ta mbështesë më tepër këtë proces dhe t‘i japë shtytje formimit profesional të infermierit", tha Skënderi. Sipas tij, problematika e sistemit të formimit bazë nuk duhet të përsëritet, duke ndryshuar emërtesat e shkollave të larta. "Ne përshëndesim rritjen dhe shtrirjen në të gjithë vendin të shkollave të larta për formimin e infermierëve, por kërkojmë që ky formim të standardizohet dhe për këtë kërkojmë të merret një nismë ligjore, që formimi i këtyre profesioneve të jetë i lirë, ndërsa diplomimi të jetë kombëtar dhe shtetëror", sqaroi më tej Skënderi. Në një projekt paraprak, Urdhri i Infermierëve sugjeron që personat e diplomuar të punojnë gjashtë muaj me mbikëqyrje dhe pas testimit etiko-profesional, t‘u jepet leja e ushtrimi të profesionit. Infermierët, mamitë dhe fizioterapistët në Shqipëri përbëjnë 70 për qind të punonjësve të shëndetësisë. Infermierët kërkojnë uniformë, kualifikime të herëpashershme dhe më shumë pjesëmarrje në vendimet e strukturave të larta të shëndetësisë. Në takimet e fundit që Urdhri i Infermierëve ka kryer në qytete të ndryshme të vendit, ndihmësmjekët kanë diskutuar për problemet e tyre dhe ndryshimet që presin në vazhdimësi. Shqetësimet e kësaj kategorie janë mbajtur shënim, duke renditur në një listë të gjitha prioritetet që duhet të jenë në vëmendje të dikasterit të shëndetësisë, për të përmirësuar kujdesin ndaj pacientit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›