E Diel, 1 Nëntor 2026

Privatizimi i galerive, qindra minatorë në të zezë

Privatizimi i galerive të kromit në zonën e Bulqizës, ku aktualisht numërohen mbi 22 shoqëri private që merren me nxjerrjen dhe shfrytëzimin e mineralit të kromit, ka bërë që qindra minatorë që punojnë në këto shoqëri, të jenë të pasiguruar. Asnjëri nga këta qindra minatorë nuk ka nënshkruar kontratën e punës me punëdhënësin. Nëse të gjithë sektorët minerarë janë të privatizuar, shteti nuk ka bërë asnjë përpjekje, që drejtuesit ligjorë të galerive të privatizuara të nënshkruajnë kontratat e punës individuale dhe kolektive, përjashtuar firmën e huaj koncesionare, "Albania Chrome ACR", që zotëron pjesën më të madhe të ish-minierës së Bulqizës, ku punojnë rreth 660 minatorë. Kushtet e punës për këta qindra minatorë janë mjaft të vështira, madje kromi vazhdon të nxirret nga galeritë me karroca dore, si në gjysmën e parë të shekullit të shkuar, periudhë kur dhe filloi puna në këtë minierë. Minatorët punojnë në thellësi të galerive, ku ka lagështirë të madhe, mbizotëron errësira dhe rreziku i shembjeve është gjithmonë i pranishëm. Si të mos mjaftonin këto, minatorët ankohen se punojnë ende të pasiguruar. Sipas kryesindikalistit të minierës së Bulqizës, Dilaver Përkoxha, strukturat shtetërore janë të detyruara me ligj që të kërkojnë nga sipërmarrësit privatë të galerive që të jenë korrektë me punonjësit që kanë punësuar. Sipas tij, duhet që shteti të ndërhyjë urgjentisht për t‘i detyruar këta sipërmarrës që të nënshkruajnë kontratat kolektive dhe individuale me minatorët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›