Bashkia e Fierit aplikon për kredi 200 milionë lekë
28/12/2009 Kryebashkiaku i Fierit Zeqaj: Qeveria shqiptare na la pa fonde
Do të paguajnë pagat e nëpunësve dhe të përfundojnë disa investime
FIER- Bashkia e Fierit nuk i shpëton dot krizës ekonomike. Ndërsa shumë projekte të shumë reklamuara gjatë vitit 2009 e më parë kanë mbetur pa u zbatuar, dy muajt e fundit administratës së bashkisë i janë vonuar edhe rrogat. Afro 190 nëpunësit e Bashkisë së Fierit pagën e muajit tetor e nëntor e kanë marrë në datën 20 dhjetor, ndërsa ajo e dhjetorit është shtyrë për vitin 2010. Përballë kësaj krize të thellë financiare departamenti i financës në bashki i sugjeron kryetarit që t‘i drejtohet marrjes së një sasie të madhe lekësh borxh. Sugjerimin e daljes nga kriza kryetari i bashkisë e mirëpret dhe menjëherë jep urdhër për nisjen e procedurave. Plot 200 milionë lekë të reja është shuma e lekëve që bashkia ka planifikuar të marrë borxh. Sipas Zeqaj, fillimisht është përcaktuar shuma që nevojitet për të dalë nga kriza dhe më pas është bërë një kërkesë drejtuar Ministrisë së Financave të shtetit shqiptar. Duke i kujtuar ministrit Ritvan Bode ligjin për njësitë e qeverisjes vendore, që u jep të drejtën e huamarrjes, kryetari i bashkisë Zeqaj kërkon gatishmërinë e qeverisë për të lehtësuar procedurën e marrjes së borxhit.
Pritet që procedura e nisur mesin e muajit dhjetor të përfundojë ditët e para të vitit 2010. Edhe pse borxhi konsiderohet si një ogur i keq për veprimtarinë e bashkisë për vitin e ardhshëm mbetet e vetmja zgjidhje për daljen nga ngërçi financiar ku Bashkia e Fierit ka pothuaj një vit që është zhytur. Kryetari i Bashkisë së Fierit, Baftjar Zeqaj, tha midis të tjerash se janë një seri shlyerjesh të prapambetura nga viti 2009 që do të marrin një pjesë të mirë të borxhit të shpresuar. Ai shpjegon se të ardhurat e parashikuara të bashkisë nuk mjaftojnë për asnjë nga shlyerjet e prapambetura dhe jo më të mendosh kryerjen e investimeve apo vënien përpara të një sërë projektesh. "Projektet kulturore të zbatuara gjatë vitit 2009 ende nuk janë shlyer”, - tha ai. “Kjo është një faturë e rëndë për bashkinë. Paga e punonjësve është një shqetësim i madh për departamentin e financës së bashkisë. Ndërkohë që projekti i rrethrrotullimit kryesor dhe mjaft projekte të tjera të parashikuara edhe tre vjet më parë rrezikohen. Pikërisht këto e shumë të tjera janë parashikuar që të paguhen me borxhin e kërkuar dhe shpresuar", tha Zeqaj.