E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja e të riut në tunel, kapet njëri nga autorët

28/12/2009  Tre rom i kanë dalë para dhe e kanë grabitur më pas e kanë ekzekutuar
FIER- Policia fierake ka zbardhur skemën e vrasjes së shtetasit 32-vjeçar nga qyteti i Fierit Leonard Hazizaj, i cili është gjetur i pajetë në grykën e një tuneli ushtarak në fshatin Frakull të rrethit Fier, si dhe është arrestuar njëri prej autorëve të kësaj ngjarjeje makabre, i cili është banor i komunitetit rom në fshatin Levan të këtij rrethi. Autori i vrasjes quhet Mico Osmëni 18 vjeç. Së bashku me të si bashkautorë të kësaj ngjarjeje, policia ka identifikuar edhe 2 autorët e tjerë S. A dhe R. O të 3 nga komuniteti rom banues në fshatin Levan. Shtetasi Hazizaj nuk ka qenë emigrant në shtetin fqinj në Greqi. Ai kishte më shumë se 6 vjet që ishte kthyer nga emigracioni nga Greqia dhe ushtronte një veprimtari private në qendrën e tij të banimit.
Vrasja
Burime nga grupi hetimor në komisariatin e policisë së Fierit bëjnë të ditur se ditën e vrasjes më 25 dhjetor viktima është ftuar nëpërmjet celularit nga vjehrri i tij në fshatin Frakull për të festuar ditëlindjen e së fejuarës. Ai është nisur nga Roskoveci nga ku banonin prindërit dhe ka kontaktuar me ta në telefon dhe rreth orës 20 të mbrëmjes së të premtes, është ndërprerë komunikimi me telefon. Prindërit e tij nuk kanë kontaktuar në celular dhe nuk e kanë ndjerë mungesën e djalit duke menduar se është tek familja e të fejuarës. Në lagjen e romëve “Vullnetari” në Levan, i kanë dalë para makinës së 32-vjeçarit dhe nën kërcënimin e armës i kanë vjedhur atij sendet e çmuara dhe i kanë marrë celularin. Më pas për të fshehur gjurmën e krimit është çuar së bashku me automjetin në tunelet e ushtrisë që janë aty afër për të eliminuar çdo gjurmë të vjedhjes. Shtetasi Osmani 18-vjeçar dhe 2 të tjerët me inicialet S.A dhe R.O e kanë çuar 32-vjeçarin në një tunel tjetër dhe e kanë qëlluar atë në kokë me një armë zjarri automatik duke e goditur 5 herë më breshëri. Policia ka mundur të vërë në pranga autorin Osmëni, paraditen e djeshme (të diel), ndërsa ka vijuar operacionin e koduar “Tuneli” për kapjen e 2 autorëve të tjerë, të vënë në kërkim. Emrat e tyre nuk bëhen të ditur për arsye hetimore. Një ditë më parë viktima është gjetur në gjendje të rëndë fizike dhe mendohej se i përkiste një shtetasi emigrant, por pas analizave dhe ekspertizave të policisë dhe punës së saj të vazhdueshme u identifikua trupi i pajetë, i cili i përket 32-vjeçarit Leonard Hazizaj. Sipas bluve, mësohet se shtetasi 32-vjeçar mund të jetë rrëmbyer dhe mbajtur peng në ambientet e tunelit të ish-repartit të tankeve në Levan, dhe më pas është ekzekutuar. “Pas këqyrjes se kufomës së 32-vjeçarit janë gjetur disa shenja plumbi, gjë që ka vërtetuar se vdekja ka ardhur nga plagët e shkaktuara nga një armë zjarri e tipit automatik. Afër vendit të ngjarjes rreth 500 metra më larg është gjetur edhe një autoveturë me targa greke, e cila mendohet të ketë qenë e viktimës.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›