Bashkia e Fierit merr në menaxhim 841 prona të paluajtshme
Vendimi më i fundit i dhënë nga Këshilli i Ministrave, i ka hapur dritë jeshile për të gjitha pronat e paluajtshme të Bashkisë Fier. Të drejtën për të menaxhuar këto prona e ka dhënë pikërisht vendimi më i fundit i këtij muaji që mban numrin 574 i dalë nga ministria e brendshme. Ky vendim ka miratuar më në fund listën përfundimtare me pronat që do të menaxhohen nga bashkia tani e në vazhdim. Listës me pronat publike i janë shtuar dhe hequr prona
në varësi të kompetencave të pushtetit lokal dhe atij qendror, duke e çuar numrin përfundimtar në 759 prona publike. Sipas drejtoreshës së Departamentit të Regjistrimit të Pronave Publike në Bashkinë Fier, Adriana Vreka, lista e diskutuar shkoi deri në 841 objekte, ku përfshiheshin edhe lulishtet dhe sheshet e pallateve, por në fund pas shumë diskutimesh ministria përkatëse vendosi që të lërë një numër prej 759 pronash të tilla. Vendimi më i fundit na ka lënë që të mbajmë në pronësi 720 objekte, ndërkohë që kemi të drejtë ti mbajmë në përdorim 39 prona, ndërsa na është hequr e drejta për 82 prona. Në kategorinë e parë hyjnë tokë truall dhe ndërtesë, ku më kryesoret janë kopshtet, çerdhet, shkollat, godinat e bashkisë, prefekturës, ish-fabrika etj. Në kategorinë e dytë janë prona të dorës së dytë që kanë në përbërje vetëm troje, siç janë sheshet, rrugët, trotuaret etj. Ndërkohë pronat që na janë hequr u përkasin institucioneve të tilla si poliklinika e qytetit, spitalet të gjitha, ambulancat e lagjeve etj, të cilat janë kërkuar të menaxhohen si ndërtesa nga vetë ministritë prej të cilave varen, është shprehur Vreka. Ndërkohë pas mbërritjes së listës në fletoren zyrtare ka startuar puna për regjistrimin e pronave. Drejtoresha e regjistrimit të pronës Vreka bën me dije se tashmë ky departament ka çuar për regjistrim në hipotekë edhe dosjet e para. Sipas ligjit aktual të këshillit të ministrave, nga bashkia do të regjistrohen si pronat që na janë lënë pronësi,ashtu edhe pronat që na janë lënë në përdorim, dhe më pas do të vendoset për dhënien me qera ose shitjen e tyre. Ndërkohë deri tani presim që të na kthehen dosjet me certifikata pronësie për katër objekte, tha ndër të tjera Vreka. Gjithashtu ajo bën të ditur se do të jetë Këshilli Bashkiak i qytetit, ai që do të vendos për fatin e të gjitha godinave që po hipotekohen.O. Filka