Shkodër, "5 heronjtë e Vigut" përfundojnë në plehrat e "Varrezave të Dëshmorëve"
>Largimi i nga qendra e Shkodrës, i monumentit të 5 Heronjve të Vigut ka ngjallur reagime jo vetëm nga forcat e majta politike dhe organizata e veteranëve, por edhe nga familjarë të të rënëve të vitit 1944 në Vig Mnelë, sot në qarkun e Shkodrës. Organizata e Veteranëve të Luftës Antifashiste N-Ç dhe Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve të Shkodrës kanë reaguar ashpër dje, për largimin e monumentit të 5 Heronjve të Vigut. Në një deklaratë të tyre thuhet: "Pesë luftëtarët bij të qarkut të Shkodrës që u flijuan në gusht të 44-ës në përleshje me shërbëtorët e okupatorëve të vendit, nuk ishin as mercenarë dhe as kriminelë.
Ata ishin luftëtarë të lirisë dhe të gatshëm për të dhënë jetën për asnjë interes material, por vetëm e vetëm në interes të lirisë së vendit. Për këtë janë shpallur Heronjtë Popullit. Kjo i ka bërë të përjetshëm në përmendoren që u vendos në qendër të Shkodrës. Zhvendosja e tyre nuk tregon asgjë tjetër përveç se injorancën dhe çoroditjen që flet për thellim të armiqësisë". Ky veprim flet edhe për mosnjohje të historisë dhe mosrespekt të atyre që luftuan për lirinë e këtij vendi dhe të familjeve të dëshmorëve, të cilët janë të indinjuara dhe protestojnë në mënyrë energjike. Për më tepër, përmendorja e madhe nga firma që e zhvendosi, është montuar pranë Varrezave të Dëshmorëve në fshatin Bardhaj në dalje të Shkodrës, nga drejtimi i rrugës së Pukës. Këto varreza, të cilat nuk kanë brenda tyre vetëm partizanë, por edhe patriotë të Shkodrës, janë prej kohe një vend depozitimi i mbeturinave të qytetit të madh, të cilat digjen përditë. Tashmë edhe monumenti madhështor i 5 Heronjve të Vigut është bërë pjesë e tymit dhe plehrave të këtij vendi dhe për më tepër fëmijë dhe bagëtitë që ata kullosin, janë edhe vizitorët e tyre të përditshëm duke u bërë kështu një dekor tepër i rëndë dhe në mungesë e madhe e humanizmit dhe etikës qytetare. Pavarësisht se në Bushat po përgatitet edhe Land Field-i i grumbullimit të mbeturinave të qytetit të madh verior, ky proces është i gjatë dhe si përmendorja dhe Varrezat e Dëshmorëve do të vazhdojnë të jenë edhe për kohë të pa caktuar, një shëmtim kulturor dhe moment tepër i vështirë etik, që qyteti më i madh në veri do ta mbajë mbi supe. Duke larguar edhe peshën e madhe politike që ka momenti i kësaj shfaqeje të dobët morale, ajo që mbetet është mosrespekti themelor për të rënët dhe varret, por edhe për vetë rëndësinë që vendi ku ato prehen apo demonstrojnë, paraqet.