E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kontratat e politikës së majtë, që kanë brenda Berishën

>Nga Besi BEKTESHI
Mbas mos aprovimit të buxhetit të Bashkisë së Tiranës, ku maxhoranca tashmë nuk mund të jetë e majtë (socialiste), sepse në fakt për këtë buxhet nuk është dakort jo vetëm Poni i PD-së dhe të tijtë aty, por edhe LSI-ja e cila akuzon drejtpërsëdrejti Ramën dhe socialistët, vjen edhe bllokimi i buxhetit të Korçës, sepse edhe aty ku Peleshi është i socialistëve, nuk ka pasur në sallë si demokratët, por edhe dy prej atyre të LSI-së që kanë propozuar që të shtyhet mbledhja. Ka ditë që sulmet e kundërsulmet midis PS-së dhe LSI-së janë të ashpra, dhe kanë si moment themelor, buxhetet në Bashkitë e majta.
Po ashtu edhe në fushatën e hapur në Tiranë të LSI-së u akuzua direkt komanda socialiste në kryeqytet, për shifra që duhen justifikuar dhe gjetur. Nga ana tjetër PS-ja edhe më anën e zëvendësit de fakto të Ramës në Bashkinë e Tiranës,  reagon ndaj LSI-së dhe këshilltarëve të saj, por edhe Mimi Kodheli nga foltorja e PS-së po ashtu për prishje kontrate nga LSI-ja, dhe plot të tjera si këto. Jo krejt papritur ai që duhet të ndjehet mirë është Sali Berisha, jo vetëm si Kryeministri i Shqipërisë, por edhe si shefi i maxhorancës dhe kryetari i PD-së. Dhe ka të drejtë praktikisht dhe gjysmë moralisht!!! Pse praktikisht?
Në të vërtetë, kur Rama dhe socialistët në saj të integrimit të Shqipërisë, arrijnë të merren vesh me pikërisht Berishën për ndryshim të kushtetutës dhe për kodin dhe me të gjitha të tjerat varg e vijë, as që kanë pyetur për kontrata dhe të majtën në përgjithësi sepse çdo gjë e kanë bërë me të, dhe në dyshe të sigurt. LSI-ja e cila e vetme ka treguar se nuk ishte aq vogël sa të lihesh të qante si fëmijë sepse dikur do të pushonte, nuk u përfill nga motra e madhe socialiste. Megjithëse një forcë politike e majtë, që ka stabilitet në elektorat dhe forcë reale të majtë, LSI-ja u përjashtua nga socialistët në çdo komision dhe në çdo KQZ dhe në çdo nen, apo edhe formacion bisede i majtë në Shqipëri. As në grevën e urisë së saj ku kërkohej një anëtar KQZ-je kjo forcë politike nuk u tolerua nga Rama dhe socialistët, si koncept i majtë politik. Jo, sepse çdo marrëveshje u bë me PD-në dhe Berishën. Në fakt ky i fundit, u tregua më klement me LSI-në duke e dërguar topin te Rama për komisionin, por që në fakt përsëri nuk u pa e udhës të ndreqej puna midis dy partive të majta. Praktikisht Berisha nuk ka faj. Por topi mbeti te socialistët. Në fakt me një kontratë midis të majtëve në përgjithësi, dhe ku dihet se ka faktor dhe aktor, duhej bërë edhe marrëveshja dhe kontrata, pastaj edhe bashkëpunimi me Berishën. Sëpaku kjo është logjika. Por jo!! Më tepër është parë e udhës nga socialistët dhe Rama, që të merret vesh dhe bashkëbisedohet me Berishën, duke mos u marrë vesh me LSI-në, si sëpaku motër e vogël edhe pse ka oreksin e madh, sipas tyre.
Patjetër që një kontratë e tillë me të djathtën pa përfillur të majtën, është një kontratë përgjysmë. Po pse Berisha ka të drejtë gjysmë moralisht?!! Po sepse në kontratat e tij, të një pragmatizmi anti majtist, lëvizjet herë me LSI-në dhe herë me PS-në, kanë përshtatje të kapërcimit të pushteteve si qendrore dhe vendore dhe natyrisht ka faj për eksperimentin jo në vijë të drejtë me parimin, por ka të drejtë me realitetin e dobët dhe të shkatërruar politik të së majtës. Po ku qëndron problemi i vërtetë dhe faji?!!
Patjetër të PS-ja. Kur dikush në një nga qytetet me tradicion të vërtetë multi fetar dhe tolerant ka bërë pyetjen se kush duhet të jetë me të vërtetë midis religjoneve tolerant dhe largpamës, një person tepër aktiv dhe i dëgjuar i përgjigjet: Nuk do shumë mënd se është shumica. Sepse në fakt, pakica nuk mund të jetë kaq shumë tolerante, sepse nuk ka numra, sa pikërisht shumica. Partia Socialiste ka numrat e shumtë sot në Parlamentin Shqiptar, dhe ka bërë të gjitha marrëveshjet me Berishën, pikërisht me madhështinë e këtyre numrave. Po, por nuk ka marrë asnjëherë mundimin që të shikojë se çfarë ka në anën e vet politike, drejtpësdrejti nga LSI-ja. Është kollaj të thuash tani ajo bashkëpunon me Berishën në pushtetin lokal dhe kundër kontratës. Por duhet të shikojë edhe kontratat e krahut të vet dhe po ashtu edhe realitetin LSI. Ky realitet po ja zbut pak punët në pushtetin lokal, dhe po të shkohet me këto ritme, ka për tja zbutur akoma më mirë mbas 28 qershorit. Numërimin e ditëve deri në zgjedhje të pushtetit qendror dhe politik, nuk dinë ta bëjnë vetëm në zyrat e PS-së, sepse ka kaq të zgjuar matematikisht, edhe në zyrat e Berishës dhe të Metës. Në hak të inatit me motrën e vogël, kuptohet se ditët bëhen më të vështira. Në fund të fundit, zoti Berisha aty është, dhe ka hequr dorë një herë e përgjithmonë nga bashkëpunimet njëdrejtimëshe, duke qenë kështu pragmatisti-oportunist, më i madh në Shqipëri. Kjo i bën kontratat e majta që të kenë elementin Berishë gjithmonë brenda, dhe nuk janë tradhti kombëtare, por syleshëri majtiste, pikërisht e shumicës së sotme socialiste. Kurse historitë me konspiracion të njërit lider të majtë dhe tjetrit, në shërbim të liderit maksimus demokrat, nuk mund të përdoren si paracetamol në elektorat, sepse doktori në kohën kur ushtronte kirurgun e zëmrës, as që e merrte parasysh ( nuk ishte paracetamoli) dhe as që ka ndërmend ta kalojë nëpër mënd, sepse është mësuar të ndreqë çdo gjë me bisturi. Sa do me koncepte moderne dhe të rinj në mendime të jenë në PS-në e sotme, një gjë besoj duhet ta dinë në ndërgjegjen e tyre se bisturinë më mirë se Berisha nuk mund ta përdorin. Për të ndarë politikën e vjetër nga e reja, ato i kanë kërkuar ndihmë zotit Berisha dhe ky i fundit ju ka dhënë hanxhar me të cilin lartësitë socialiste, jo vetëm që kanë prerë një pjesë të së majtës, por kanë filluar të presin edhe një pjesë të vetes, sepse hanxhari nuk është një bisturi.

Last Updated on Tuesday, 03 February 2009 13:59

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›