E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kaos në Pediatri, pacientët e vegjël shërohen në mes llaçit dhe tullave

Rikonstruksioni i spitalit të fëmijëve çorodit mjekë dhe pacientë
Rikonstruksioni i ambienteve të brendshme të repartit të pediatrisë në QSUT, ka shkaktuar një kaos të madh midis fëmijëve të shtruar në këtë repart, duke vështirësuar tej mase shërbimin shëndetësor ndaj tyre. Për rrjedhojë, fëmijët në këtë pavijon janë evokuar nëpër dhoma të tjera të këtij reparti, duke krijuar kështu një fluks të papranueshëm, madje një pjesë e tyre, përkohësisht janë të detyruar të qëndrojnë nëpër korridore. Ndërkaq, pacientë të tjerë fëmijë, presin për tu shtruar në ambientet e urgjencës, e cila ndodhet në katin e parë të këtij pavijoni. Ndërsa fëmijët e shtruar më parë, lëvizin sa në një dhomë në tjetër, pasi në pjesën më të madhe të këtij reparti po zhvillohen punime prej disa muajsh. Ndonëse, punimet për rikonstruksionin e pavijonit të pediatrisë, ishin parashikuar që përfundonin që në vitin 2008, në ambientet e brendshme të pjesës lindore të tij, punimet sapo kanë filluar. Pacientët e vegjël vazhdojnë ende të shtohen në të njëjtat ambiente të  mbipopulluara, dhe pse një pjesa perëndimore e këtij reparti ka përfunduar së rikonstruktuari, por çuditërisht, këtë ambiente janë të boshatisura nga moszhvillimi i tenderëve për pajisjen me materiale të nevojshme, si shtretër, batanije etj. Pjesët e Spitalit të Pediatrisë, në të cilat aktualisht ofrohet shërbimi shëndetësorë për fëmijët e shtruar, qëndrojnë 4-5 fëmijë në një dhomë, ku normalisht nuk duhet të qëndrojnë më shumë se 2. Kështu, fëmijë dhe prindër flenë së bashku në një dhomë. Gjatë ditës, shtohen edhe vizitorët, të afërm të fëmijëve duke i vështirësuar më tej kushtet. Kam shtruar fëmijën që prej 5 ditësh. Tre ditët e para qëndrova në katin e dytë, pastaj dje e solla në katin e 3-të, pasi atu ku isha filluan të prishin suvato e dhomave. Megjithëse në këto dhomë janë grumbulluar 4 fëmijë, shtretër janë vetëm 2. Siç e sheh, për shkak të rikonstruktimit kushtet janë tepër të vështira dhe mundësitë janë më të mëdha që fëmija të marrë ndonjë infeksion të dytë sesa të shërohet, u shpreh e shqetësuar për gazetën SOT, Lume Skura, e cila qëndronte me fëmijën e sajë sa në korridor aq edhe në dhomë. Fluksi i fëmijëve në pavijonin e pediatrisë në QSUT ndodhet në gjendje kritike, jo vetëm për shkak të rikonstruksionit të ambienteve të brendshme, por është favorizuar edhe nga qarkullimit i virozëve të ndryshme karakteristike për stinën. Në pavijonin e pediatrisë, në ditët e para të prillit, përgjithësisht vijnë 200-250 fëmijë në ditë dhe një pjesë e tyre kanë nevojë të domosdoshme të shtrohen. Ky fakt, natyrisht krijon mbipopullim me pacientë të pavijonit të pediatrisë jashtë kapacitetit të tij. Prindërit e pacientëve të vegjël, shprehen mjaft të shqetësuar për numrin e lartë të fëmijëve të tjerë që jetojnë në të njëjtën dhomë. Ndërkaq, për shkak të fluksit, prindërit dhe mjekët detyrohen që dy fëmijë ti shtojnë në të njëjtin shtrat, duke e bërë të pamundur shërbimin shëndetësor. Veç kësaj, shtohet edhe mungesa e qetësisë. Është e pamundur të gjesh një dhomë, ku mos të dëgjohet një fëmijë duke qarë. Nga ana tjetër, mjekët vetë e pranojnë se nuk kanë ku ti shtrojnë pacientët ngaqë, jo vetëm që nuk ka as një vend të lirë, por edhe ato dhoma të mbipopulluara më pacientë fëmijë, po i boshatisin dita-ditë, për shkak të punimeve të që po kryhen. Nuk mungojnë rastet, ku prindërit bashkë me mjekët janë të detyruar ti nxjerrin fëmijët nga spitali pa i shtruar ende. Megjithatë, avazi i rikonstruksionit vazhdon maratonën e tij, pa pyetur për dëmet e shkaktuara dhe aktualisht asnjë nga pjesët e pavijonit të pediatrisë nuk funksionon normalisht. Pjesa perëndimore e pavijonit është rikonstruktuar dhe është lënë bosh, kurse në pjesën lindore punimet kanë filluar këto ditë.
Mungesa e shtretërve në pediatri
Rikonstruksioni i pavijonit të pediatrisë në Qendrës Spitalore Universitare, Nënë Tereza, ka nisur prej kohësh dhe parashikohej nga çdo kush pasojat që do të sillte në shërbimin shëndetësor, sidomos në stinën e pranverës. Kështu, përveç numrit përgjithësisht të vogël të dhomave që shërbejnë për pacientët, konstatohet edhe mungesa e shtretërve në krahasim me numrin e të shtruarve. Kapaciteti i shtretërve në këtë pavijon është shumë herë më i vogël sesa fluksi i të shtruar, pa marrë parasysh ata që presin për tu shtruar në dhomat e urgjencës. Ndërkaq, pacientët e vegjël duhet të presin për disa ditë, me shpresë daljen e ndonjë pacienti nga spitali, ose prindërit duhet ti marrin shtretërit nga shtëpitë e tyre.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›