E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rebelimi i policit në ekranin e kinemasë

Një aksion-triller, që tenton të realizojë një lidhje ekstreme mes reales dhe ireales, i mbushur me mister, emocione dhe imazhe mbinatyrore vijon të ndiqet me interes në ekranin e kinema Millennium. Max Payne tregon për një polic rebel në kërkim të hakmarrjes. Udhëtimi i Max ka një qëllim të qartë, të gjejë përgjegjësit e vrasjes brutale të familjes së tij por edhe të një kolegu. Nuk ka rëndësi nëse kjo do ta bëjë të përdorë çdo mënyrë e mjet dhe as të ndeshet me qenie të mbinatyrshme. Duke marrë formën e një personazhi që nuk ka çfarë të humbasë dhe që nuk ndjek rregullat, Max , do të jetë viktima e një tradhtie të pamenduar. Ai do të ndeshet me forca të fuqishme  që janë duke fshehur të vërtetën tronditëse që duan ta varrosin përgjithmonë.  Ideja e këtij antiheroi të etur për hakmarrje, koreografitë elegante dhe skenat aksion me slow-motion të bëjnë të mendosh menjëherë për natyrën kinematografike të ngjarjes, një prodhim me ndikime nga filmi i zi. Në film Max Payne është interpretuar nga kandidati për Oscar, Mark Wahlberg, që ka punuar me Mila Kunis (Mona Sax, një vrasëse mafioze dhe e bukur), me Olga Kurylenko (vajza Bond ne Quantum of Solace, të shfaqur para disa muajsh në Millennium, ndërsa këtu luan Natashën, motrën e vogël të Monës), me Chris "Ludacris" Bridges (detektivin e punëve të brendshme Jim Bravura) si dhe Beau Bridges. Në qendër të këtij filmi, që zgjat 100 minuta, është historia e një agjenti të policisë së Nju Jorkut, të cilit një grup kriminelësh, të varur nga droga e re Valkyr, i vrasin gruan dhe vajzën e sapolindur. Gjatë filmit Max Payne vendos që të marrë pjesë në Drug Enforcement Agency, dhe fillon një mision për të identifikuar bosin e familjes mafioze që kontrollon trafikun e Valkyr. Por, gjatë misionit ai akuzohet pa të drejtë për vrasjen e kolegut të tij, duke u gjendur kështu mes dy zjarresh, mafies dhe policisë. Megjithatë realizuesit janë përballur me sfida të forta në përpjekjen e tyre për të sjellë Max Payne në ekranin e madh.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›