E Diel, 1 Nëntor 2026

Bashkia e Shkodres Qeveria 1.7 milione dollare per infrastrukturen rrugore te qytetit

Bashkia e Shkodrës është në prag të fillimit të zbatimit të dy projekteve madhore për infrastrukturën rrugore të qytetit. Vlera e financimit për dy segmente rrugore shumë të rëndësishme brenda zonës qëndrore të qytetit është rreth 1.7 milion dollarë, financim ky i Qeverisë Shqiptare, ku afati i përfundimit të këtyre punimeve është në 150 ditë.

Gjatë një konference për shtyp, zëdhënësi i shtypit i Bashkisë Shkodër, Ridvan Dibra dhe specialisti i urbanistikës pranë bashkisë, Nikolin Çurçia, kanë bërë të ditur akset rrugore ku do të ndërhyhet, si dhe në të njëjtën kohë kanë kërkuar mirëkuptim nga komuniteti për një çrregullim të trafikut që pritet gjatë periudhës së punimeve.

Zyrtarët e bashkisë thanë se punimet për zbatimin e këtyre projekteve, fillojnë te henen e ardhshme dhe sipas tyre, bëhet fjalë për akset rrugore Bulevardi Zogu i Parë, që kufizohet nga zona "Pesëkatëshi me Urë“, siç njihet në Shkodër, aksi rrugor në lagjen Xhabija në hyrje të qytetit të Shkodrës, deri në afërsi të sheshit Parrucë në lagjen "Qemal Stafa". Me pas do te nderhyhet edhe ne akset rrugore "Qemal Draçini"- "Martin Camaj“, si dhe "Europa“, zonë që përmbledh aksin rrugor nga Shatërvani në sheshin përpara Teatrit "Migjeni" deri në hyrje të lagjes Dobraç në dalje të qytetit me destinacion qytetin e Koplikut drejt doganës së Hanit të Hotit.

"Ne nëpërmjet kësaj deklarate për shtyp kërkojmë mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e bashkëqytetarëve tanë për shqetësimet që mund t’u sjellim në jeten e tyre të përditshme në qarkullimin e mjeteve të transportit rrugor . Por ata duhet të na kuptojnë se të gjitha investimet që bëhen në infrastrukturen e qytetit të Shkodrës, bëhen për përmirësimin e jetës në qytet, për përmirësimin e lëvizjes dhe të transportit, si publik ashtu edhe atij privat", thane zyrtarët e bashkisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›