Bashkia e Shkodrës, certifikatë nga kongresi i autoriteteve lokale të KE
Bashkia e Shkodrës u nderua me certifikatë mirënjohje nga Kongresi i autoriteteve lokale dhe rajonale të Europës dhe Këshilli i Europës, si një ndër insitucionet lokale më të dalluara në Europën Juglindore. Kjo certifikatë iu dorëzua kryebashkiakut të Shkodrës, Lorenc Luka në një ceremoni të zhvilluar në mjediset e Kongresit të Autoriteteve Lokale të Europës.
Kryebashkiaku Luka duke shprehur mirënjohjen, garantoi se vlerësimi i dhënë nga autoritetet ndërkombëtare është nxitje për ti çuar rezultatet e punës akoma edhe më përpara. Drejtoja e Marrëdhënieve me Jashtë në këtë Bashki, Zemaida Mozali, tha se diploma është një certifikatë mirënjohje dhënë qytetit të Shkodrës për partneritet ndërbashkiak dhe ndërajonal, për rolin e një partneri aktiv për zhvillimin dhe konsolidimin e demokracisë lokale në Europën Juglindore dhe për përfshirjen në programin e agjencive të demokracisë lokale. Sipas saj, Bashkia ka një bashkëpunim të suksesshëm me partnerë të ndryshëm si në nivel lokal, rajonal, ndërajonal dhe europian, që ka ndihmuar për përmirësimin e standardeve të shërbimit të qytetarëve, zbatimin e politikave të integrimit të komunitetit në qeverisje dhe modele europiane të shërbimit ndaj tyre.