E Diel, 1 Nëntor 2026

Basha- delegacioni KE: Qeveria shqiptare, e angazhuar për zgjedhje të lira

Ministri i Jashtëm, Lulzim Basha ka garantuar delegacionin e KE se qeveria shqiptare është plotësisht e angazhuar që të zhvillojë zgjedhje të lira dhe demokratike në përputhje me standardet ndërkombëtare. Në takimin e zhvilluar me delegacionin parazgjedhor të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ministri Basha ka bërë një ekspoze të gjerë të reformës elektorale, masave të marra nga qeveria e Shqipërisë për përfundimin e infrastrukturës së nevojshme zgjedhore, si dhe të ecurisë së procesit të pajisjes së qytetarëve me letërnjoftime elektronike. Hapat e mësipërme janë bërë në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, nënvizoi Basha, duke përsëritur gjithashtu vullnetin e qeverisë shqiptare për të pritur numrin më të madh të vëzhguesve që kanë monitoruar zgjedhjet në Shqipëri. Nga ana e tyre, anëtarët e delegacionit parlamentar kanë përsëritur vendimin e Asamblesë Parlamentare për të dërguar 20 vëzhgues, të cilët janë deputetë me përvojë në fushën e monitorimit të zgjedhjeve. Delegacioni, i kryesuar nga deputetja e Vendeve të Ulëta, Corien Jonker, po viziton Shqipërinë në përgjigje të ftesës që qeveria shqiptare i ka dërguar Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për të vëzhguar zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›