Bashkia e Shkodrës i kërkon partneritet FSHF-së
Kryebashkiaku i Shkodrës, Lorenc Luka, ka pasur një takim me presidentin Duka, ku është diskutuar për mundësinë e bashkëpunimit në zbatimin e disa projekteve
Kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Lorenc Luka, aktualisht numri 1 i klubit shkodran (Vllaznia është kthyer në sh.a. dhe bashkia është aksionarja e vetme), dje ka pasur një takim me kreun e FSHF-së, Armand Duka, ku është diskutuar për disa projekte të futbollit në qytetin verior.
Mësohet se Luka ka kërkuar partneritet nga FSHF për ndërtimin e një kompleksi sportiv dhe rregullimin e tribunës së Loro Boriçit, për të ulur barrën e investimeve, që janë të papërballueshme për këtë bashki. Duhet pranuar fakti që para se Vllaznia të shndërrohej në sh.a., bashkia nuk ka pasur interes për të investuar në asetet e futbollit, por gjërat kanë ndryshuar.
Kompleksi sportiv Ideja për një kompleks sportiv në Shkodër është hedhur rreth 3 vjet më parë, pas një vizite të Kryeministrit Berisha në këtë qytet. Pas një kërkese të Kujtim Shabës për një kompleks sportiv, Berisha premtoi zyrtarisht ngritjen e tij, por bashkia u tregua indiferente. Pati vonesa, sepse toka e përzgjedhur për ndërtimin e këtij kompleksi ka qenë në përdorim të Institutit të Misrit dhe Orizit dhe në pronësi të Ministrisë së Bujqësisë.
Pas ndërhyrjeve të vazhdueshme në këto institucione, u arrit që toka të kalohej në pronësi të Bashkisë së Shkodrës. Bëhet fjalë për 2.5 ha tokë ku mendohet të ngrihen dy fusha futbolli, një minifutbolli, një tenisi, sallë force, palestër, hotel, sallë konferencash dhe shumë gjëra të tjera në një godinë shumëfunksionale.
Bashkia ka hartuar edhe projektin përkatës dhe tashmë mbetet vetëm gjetja e fondeve për ndërtimin e këtij kompleksi. Toka ku është menduar ngritja e komplesit është në të dalë të Shkodrës, në rrugën drejt Koplikut, pranë ish-SMT-së.
Ndërhyrja në Loro Boriçi Stadiumi i Shkodrës mbetet mundësia e parë për zhvillimin e ndeshjeve të kombëtares pas shembjes së Qemal Stafës. FSHF ka premtuar që punimet për ndërtimin e stadiumit të ri do të fillojnë verën e ardhshme, çka do të thotë se duhet gjetur një tjetër impiant për ndeshjet eliminatore të Botërorit 2014. Mirëpo Loro Boriçi ka nevojë për ndërhyrje, në mënyrë që ti plotësojë kushtet për ndeshjet e kombëtares. Ideja për të ndërhyrë në Loro Boriçi ekziston prej kohësh.
Planet janë për shembjen e tribunës qendrore dhe ngritjen e një tribune moderne në vend të saj, ku duhet të ketë sektor VIP, vende për gazetarët etj. Drejtuesit e Bashkisë Shkodër kanë shprehur mendimin se mund të merrnin një kredi afatgjate për këto investime, por gjërat kanë mbetur vetëm në kuadrin e ideve. Kryebashkiaku Luka kërkon asistencën e FSHF-së, e cila duhet të jetë edhe financiare për zbatimin e këtyre projekteve.