Ribaj: Me Tiranën do tia vlente edhe një gol
Sulmuesi i Apolonisë, Andi Ribaj, ka shënuar tre gola në kupë ndaj Shkumbinit, duke u zhbllokuar për këtë sezon
Një fitore kupe dhe 4 gola që shënon në transfertë janë një stacion disi relaksues për skuadrën fierake në mesjavë, për tiu rikthyer sërish përqendrimit në kampionat. Fierakët kanë fituar në ndeshjen e dytë të grupit A në edicionin e 60-të të Kupës së Shqipërisë, në Peqin kundër Shkumbinit, me rezultatin 4-3, teksa kanë udhëhequr deri në 4-1. Vlen për tu theksuar se ka qenë një takim që i ka shërbyer sidomos sulmuesit Andi Ribaj, i cili ka shënuar një tripletë, ndërsa në kampionat nuk ka mundur të shënojë qoftë edhe 1 gol të vetëm në 6 javët e para.
Fitorja e arritur ndaj peqinasve e mban skuadrën fierake në lojë në pretendimet për një nga dy vendet e para në grup, pasi tashmë, bardhejeshilët kanë 3 pikë në dy takime, po aq sa dhe Laçi, duke ndjekur Tiranën e vendit të parë, me pikë të plota 6.Është pikërisht ky kompeticion ku fierakët kanë humbur me peqinasit në javën II dhe është po kampionati ku Apolonisë do ti duhet në fundjavë të luajë kundër bardhebluve kryesues, kundër një Tirane të rikthyer në kulmet e saj më të mira dhe me synime më të qarta se asnjëherë.
Fierakët e kanë të qartë se, pavarësisht se do të luajnë në shtëpinë e tyre, do të kenë një ndeshje shumë më të vështirë sesa ajo e luajtur në Peqin për kupë. Është pikërisht sulmuesi i rikthyer, Andi Ribaj, ai që shprehet se Tirana është prova më e vështirë që bardhejeshilët duhet të përballojnë në këto javë të para të këtij sezoni.
Natyrisht që Tirana përbën si gjithmonë një kundërshtare me peshë, sepse është skuadra më me histori dhe më me peshë në futbollin shqiptar. Ne kemi dy javë që po humbasim dhe nuk do të ishte komode nëse do të dilnim sërish pa pikë edhe këtë ndeshje. Është një nga ballafaqimet ku ke dëshirë ta luash, ndonëse për ne janë aq të domosdoshme pikët. Megjithatë, unë mendoj se duhet të luajmë jashtë çdolloj presioni dhe të përqendruar në maksimum, pasi vetëm kështu mund të pretendosh ndaj Tiranës.
Për sa u përket golave të shënuar ndaj Shkumbinit, mund të them se më kanë ndihmuar, pasi tani ndihem i çliruar dhe do të bëj çmos që të shënoj në kampionat. Sigurisht që rasti më i mirë do të ishte me Tiranën, pasi çdo sulmues dëshiron të shënojë në portën e bardhebluve dhe unë do të isha i kënaqur nëse shënoja në këtë ndeshje dhe goli im ti jepte Apolonisë pikët maksimale të fitores, – ka thënë midis të tjerave sulmuesi fierak, Andi Ribaj.
