E Shtunë, 31 Tetor 2026

Malota: Fitoret në derbi, tepër të rëndësishme

Nga ANDI MATRAXHIU

Sipas Renato Malotës, nëse Dinamo kalon Kamzën me sukses, edhe kriza largohet automatikisht, por edhe renditja përmirësohet

Dinamo vazhdon përgatitjet e saj për ndeshjen e radhës, e cila do të jetë tepër e rivalizuar. Një derbi i ri për kryeqytetin, por që sigurisht edhe kamzalinjtë e drejtuar nga Ernest Gjoka do të kërkojnë të rrëmbejnë pikë, sepse nuk futen për piknik në fushën e blertë. Dinamo ndodhet në vështirësi në tabelën e klasifikimit, ndërkohë që Kazma është pak e ngrohur nga rezultatet e deritanishme.

Blutë i vështirësojnë akoma më shumë pozitat e tyre nëse nuk arrijnë një fitore përballë kamzalinjve. Një tripikësh përballë Kamzës në derbi do të ishte tepër domethënës edhe për ti dhënë një shkelm krizës, e cila ka përfshirë blutë, pasi edhe ndeshja e fundit në kupë përballë Elbasanit e tregoi mungesën e rezultateve pozitive. Mbrojtësi Renato Malota, një nga pikat më të forta të prapavijës blu, duke folur për Sportin shqiptar, ka analizuar sfidën e kaluar në Laç, por edhe derbin ndaj Kamzës.

Është një ndeshje e rëndësishme për ne për vetë pozitat e këqija që po kalojmë. Nuk mund të themi se jemi në krizë, por sigurisht që nuk po kalojmë një moment pozitiv. Një fitore në derbi përballë Kamzës do të ishte tepër fondamentale për të kaluar momentin jo. Për më tepër, edhe pse kamzalinjtë janë debutues, derbi mbetet derbi, i ri apo i vjetër në futbollin shqiptar. Në Laç jemi penalizuar nga disa vendime arbitrare, por si futbollist nuk më takon ta analizoj gjatë këtë fenomen.

Ai që dua unë të analizoj është fakti se kërkojmë një arbitrim sa më të drejtë, në mënyrë që të marrim atë çka japim në fushën e blertë. U bënë disa takime radhazi që jemi dënuar nga këto vendime arbitrare të dyshimta. Një herë në Fier, më pas në Lushnjë ndaj Tomorit, e kështu me radhë kanë vijuar ndëshkimet e xhaketave të zeza ndaj nesh. Gjithsesi, në Laç dhamë maksimumin, mund të kishim shënuar, teksa ishte edhe një 11-metërsh flagrant për ne.

Kemi mungesën e kapitenit Bekim Kuli ndaj Kamzës, një lojtar i rëndësishëm për Dinamon, por do të mundohemi që me performancën e çdo futbollisti në fushën e blertë, të mbulojmë sa më shumë që të mos ndihet mungesa e tij. Personalisht do të jap gjithnjë maksimumin për Dinamon. Kam kaluar edhe probleme të vogla, siç ishte ai shëndetësor ndaj Shkumbinit, ku mungova, por e përgjithshmja është pozitive dhe jam plotësisht i gatshëm përballë Kamzës.

Dinamo është një emër i madh i futbollit shqiptar dhe pa dyshim kjo skuadër do të dijë të dalë nga ky moment i vështirë. Për kushtet stërvitore nuk keni pse më pyesni, edhe ju mediat jeni vetë dëshmitarë të asaj çka po ndodh me ne. Fajtorët smund ti gjejnë futbollistët, ne jemi duke bërë një sakrificë për pasionin dhe profesionin tonë. Nuk është aspak normale që të zhvishemi në mes shiut apo të jetojmë çdo ditë me peripecitë e kompleksit ku stërvitemi. Shpresojmë që situata të normalizohet sa më shpejt, ku edhe ne lojtarët të jemi më të qetë dhe të përqendruar në punën tonë,- shprehet për Sportin shqiptar nr.13 i bluve, Renato Malota.

Dinamo-Kamza, drejt stadiumit Qemal Stafa

Ndeshja e javës së 7-të midis Dinamos dhe Kamzës pritet të zhvillohet në stadiumin kombëtar Qemal Stafa. Drejtuesit dinamovitë i kanë bërë një shkresë-kërkesë bordit drejtues të këtij stadiumi dhe pritet që derbi i ri i kryeqytetit të luhet në këtë impiant. Dinamo ka propozuar nga ana e saj një pagesë minimale për vënien në dispozicion të stadiumit dhe në krahun tjetër përfitimet nga shitjet e biletave do të shkojnë në arkën e stadiumit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›