Duka-Hasi, luftë nervash për vendin e trajnerit
Besnik Hasi është i indinjuar nga gjithçka thuhet për pozicionin e tij. Ai nuk e konsideron vetën trajner për një copë bukë
Besnik Hasi mbetet kandidatura e vetme serioze për të marrë vendin e trajnerit të Shqipërisë, fakt ky i pranuar edhe nga drejtuesit e FSHF-së, megjithatë zyrtarizimi i tij po vonon. Zëvendëstrajneri i Anderlehtit nuk ka folur fare për mediat për ofertën që i ka bërë presidenti i FSHF-së, Armand Duka, por burime pranë tij thonë se ai është mjaft i mërzitur nga fakti që emërimi i mundshëm i tij trajner i Shqipërisë është hedhur në treg i sigurt nga FSHF, ndonëse jo në mënyrë zyrtare, kur në të vërtetë ekzistojnë hendeqe (të kapërcyeshme) në lidhje me kushtet e kontratës.
Oferta i është bërë, por Hasi ka kushtet e tij. Ai nuk mund të sakrifikojë të ardhmen tek Anderlehti, duke pranuar një ofertë shumë të ulët (si zëvendëstrajner i Anderlehtit paguhet mbi 10 mijë euro në muaj) dhe me një afat të shkurtër kohor (një edicion).
Nënvlerësimi i shqiptarëve Për fat të keq apo të mirë, dua të paguaj sa më pak, qoftë për trajnerin. Kjo deklaratë e presidentit Duka, gjatë konferencës për shtyp të dy ditëve më parë, është shumë domethënëse për situatën konkrete. Kthimi i vëmendjes te trajnerët shqiptarë bazohet edhe në shifrat e kontratave, jo fort të papërballueshme nga FSHF, për trajnerët e huaj.
A është ky një nënvlerësim për trajnerët shqiptarë? Është pikërisht ky qëndrim i zotit Duka, që e ka irrituar jo pak Besnik Hasin, i cili ka kushtet e tij të panegociueshme për të qenë në krye të kuqezinjve.
Nuk mund ta hedh poshtë të ardhmen time tek Anderlehti (Hasi pretendon se mund të bëhet shumë shpejt trajner i parë) për një kontratë 2-vjeçare dhe për një shumë që është me e vogël se ajo që fitoj në Belgjikë. Kontrata me Shqipërinë duhet të jetë të paktën 4-vjeçare dhe rroga ime jo më pak sesa e kam aktualisht, mësohet të jetë shprehur Hasi me miqtë e tij më të afërt.
Dyshimi i FSHF-së Presidenti Duka, qysh në momentin që ka marrë drejtimin e federatës, ka nënshkruar kontrata 2-vjeçare apo më të shkurtra me trajnerët e huaj. Arsyeja? Për të mos rrezikuar financiarisht në rast zhgënjimi të trajnerëve. Edhe tani që i ka kthyer sytë nga Besnik Hasi, Duka thuhet se parapëlqen kontratë dyvjeçare, me të drejtën e rinovimit nëse palët bien dakord.
Hasi është zëvendëstrajner i Anderlehtit dhe nuk është provuar asnjëherë si trajner i parë. Nuk është kaq e lehtë të rrezikosh, kur nuk e di se si mund të rezultojë puna e tij në krye të Shqipërisë, deklarojnë burime pranë kreut të FSHF-së.
Luftë nervash Cili do të lëshojë pe, Armand Duka apo Besnik Hasi? Shtyrja e zyrtarizimit nënkupton një luftë nervash mes dy personazheve të futbollit, ku secili kërkon të përfitojë sa më shumë në termat e kontratës. Besnik Hasi nga rroga mujore që shkon gati sa e Kuzhes (mbi 12 mijë euro në muaj) dhe nga kohëzgjatja e kontratës të paktën 4 vjet, ndërsa Duka dëshiron të paguajë dhe të rrezikojë sa më pak.
Cili do të përfitojë më shumë nga kjo luftë e ftohtë? Duka premtoi që brenda javës do të zyrtarizojë trajnerin e ri, por mund ta shtyjë vendimin, nëse nuk bie dakord me Hasin. Ai ka në dorë kartën Mustedanagiç, zëvendësin e ish-trajnerit të Shqipërisë, Josip Kuzhe, për dy miqësoret me Azerbajxhanin dhe Maqedoninë. Në këtë mënyrë do të fitonte kohën e duhur për të gjetur një tjetër kandidaturë tjetër në rast se nuk arrin marrëveshjen me ish-futbollistin e kombëtares.
