Trajneri i Vllaznisë, në skenë dalin edhe Muça, Shehu e Duro
Pritej që zgjedhja të ishte mes Vatës dhe Starovës, por dje nuk është konkluduar dhe për pasojë kanë dalë kandidatë të tjerë
Shkëlqim Muça, Ramadan Shehu dhe Shëptim Duro janë tre emrat e tjerë që shtohen si kandidatura për postin e trajnerit të Vllaznisë. Ata kanë dalë në skenë ditën e djeshme dhe bisedimet me ta do të zhvillohen sot në Tiranë, ashtu si dhe me Starovën. Në fakt, pritej të mbyllej mbrëmë, por nuk ka ndodhur kështu.
Vllaznia, të paktën deri sonte në darkë do të jetë pa trajner. Kjo ngaqë ditën e djeshme drejtuesit e saj nuk arritën të përzgjedhin atë më të përshtatshmin për ta ulur në stolin e mbetur bosh pas largimit të Mirel Josës. Kjo ngaqë e gjithë dita e djeshme ka qenë e zënë me takime të shumta në federatë.
Dy drejtuesit më të lartë të klubit shkodran, administratori Kujtim Shaba dhe drejtori sportiv Armir Grima, kanë patur si rrallëherë tjetër në shoqërinë e tyre për problemet e sportit edhe kryebashkiakun e Shkodrës, Lorenc Luka. Ai ka harxhuar jo pak orë dje në lidhje me sportin, teksa ka biseduar gjerë e gjatë me kreun më të lartë të FSHF-së për problemin e stadiumit, të kompleksit sportiv dhe shumë gjëra të tjera që kanë të bëjnë me futbollin dhe Vllazninë.
E gjithë kjo kohë e harxhuar me diskutimet e shumta për çështjet e tjera që kanë patur të bëjnë me futbollin shkodran, por jo me ekipin, kanë bërë që dy drejtuesit e tjerë të klubit, Shaba dhe Grima të mos kenë kohë të merren me bisedimet për çështjen e trajnerit. Kështu edhe takimi i planifikuar me Sulejman Starovën, një nga kandidaturat për trajner të Vllaznisë, nuk është realizuar.
Ai është shtyrë për ditën e sotme. Po ashtu nuk ka patur as takim me kandidatin tjetër, Rudi Vatën. Ky i fundit, i ndodhur në Shkodër, ka kërkuar një takim me dy zëvendëstrajnerët aktualë të Vllaznisë, Plorin dhe Danin, për të mësuar prej tyre më konkretisht cila është situata në skuadër.
Kandidatë të rinj Shtyrja e përzgjedhjes së trajnerit të Vllaznisë, ka nxjerrë në skenë ndërkohë edhe emra të tjerë si kandidatë të mundshëm për postin e trajnerit të kësaj skuadre. Kështu, i pari që duket se është vetëofruar, ka qenë Shkëlqim Muça. Përmes njërezve të ndryshëm, mësohet të ketë mbërritur deri te drejtuesit kuqeblu dëshira e tij për ta drejtuar këtë skuadër.
Por këta të fundit, duket se në listë tashmë kanë edhe të tjerë emra. Ramadan Shehu dhe Shpëtim Duro mendohet të jenë emrat e tjerë, me të cilët do bisedohet ditën e sotme. Krerët shkodranë thuhet se kanë lënë takim me të gjithë sot në Tiranë. Duke filluar nga Starova, Muça, Shehu dhe Duro. Vatën e kanë në Shkodër dhe pasi ti kenë testuar të gjithë, atëherë do të kalohet në vlerësimin përfundimtar për kandidaturën më të mirë. Atë më të mundshmen për të nxjerrë Vllazninë nga situata aktuale ku ndodhet.
Klubi shkodran: Në prokurori për trukimet
Drejtuesit e klubit shkodran nuk e kanë kapërdirë mirë lajmin e shpërndarë mbi nisjen e hetimeve për ndeshjen Kastrioti-Vllaznia nga federata jonë me kërkesën edhe të UEFA-s. Pikërisht, në takimin e djeshëm të kryebashkiakut-president të Vllaznisë, Luka, me presidentin e FSHF-së, Duka, kjo ka qenë një nga temat e diskutuar gjatë.
Bëhet e ditur se ditën e sotme klubi shkodran do të dalë me një deklaratë zyrtare në lidhje me këtë çështje, ku mesa duket ai do ti drejtohet prokurorisë për hetimin e plotë të kësaj ndeshje. Një kërkesë të tillë natyrisht që ka edhe federata dhe në bashkëpunim me të, kërkon zbardhjen sa më parë të kësaj çështjeje. Drejtuesit shkodran kanë objektiv natyrisht zbardhjen e kësaj çështje dhe në fund ndëshkimin e fajtorëve nëse rezulton të ketë përderisa vetë klubi është i vendosur për të luajtur ndershmërisht çdo ndeshje.
Vllaznia, sërish mungesa edhe ndaj Pogradecit
Ashtu si në Vlorë, edhe për ndeshjen e radhës me Pogradecin, në formacionin shkodran do të ketë disa mungesa lojtarësh. Kështu, këtë herë mungon mbrojtësi i qendrës, Sykaj, i cili është ndëshkuar me karton të kuq ndaj Flamurtarit dhe në vend të tij do luajë lezhjani Danaj përkrah malazezit Petroviç. Lajm i mirë është rikthimi i Smajlit pas skualifikimit, duke u vënë sërish të luajë në krahun e djathtë të mbrojtjes, por nëse i djathti është stabilizuar, i majti ka ende probleme, sepse do mungojë sërish Popoviç.
Sipas mjekut të skuadrës, Haxhaja, malazezi ka thyer katër brinjë në ndeshjen e kupës me Elbasanin dhe prandaj ende nuk është i gatshëm për të luajtur. Po ashtu, i gatshëm nuk është as Bardulla, mesfushori i ri që u dëmtua në Vlorë, dhe as Hasani, që vazhdon të ketë probleme me kaviljen e tij. Në dyshim është edhe Sinani, që ka një problem muskulor. Ndërkohë, mund të jetë i gatshëm Nimani, megjithatë, mungesat duken të shumta dhe ky është një problem për kuqeblutë, të cilët nuk po kalojnë një moment të mirë psikologjik.
Edhe në ndeshjen e radhës drejton Plori
Në ndeshjen e së mërkurës me Bylisin për kupë, Vllazninë e ka drejtuar nga pankina Elvis Plori. Pas largimit të Josës, skuadra i është besuar atij, por në atë takim u pa qartë se situata nuk është ajo e duhura. Trajneri i ri, që i ka hyrë karrierës së trajnimit me shumë dëshirë, e pa qartë sa e vështirë është ta drejtosh një skuadër në kushte të tilla. Megjithatë, ai nuk tërhiqet asnjëherë përballë vështirësive dhe këtë e ka treguar qartë.
Edhe në takimin me Pogradecin ditën e nesërme, ai do jetë sërish në pankinë me shumë mundësi, sepse drejtuesit e klubit po vonojnë në gjetjen e zëvendësuesit të Josës. Por edhe nëse vjen trajneri tjetër deri nesër, ndaj pogradecarëve skuadrën do ta drejtojë Plori, sepse ai e njeh më mirë se kushdo tjetër atë. Madje nuk është çudi që në rast dështimi me Vatën dhe Starovën të bisedimeve, skuadra ti besohet pikërisht atij.
Kuqeblutë, të grumbulluar në Velipojë
Situata në kampin shkodran nuk është aspak e mirë dhe, për këtë arsye, drejtuesit e klubit kanë menduar ti qetësojnë futbollistët nga ana psikologjike. Pikërisht për këtë arsye, ata e kanë grumbulluar ekipin që mbrëmë, dy ditë para ndeshjes së radhës me Pogradecin. Kështu ka ndodhur rrallë në fakt, megjithatë tashmë është parë shumë e nevojshme një gjë e tillë.
Madje është zgjedhur edhe vendi, larg zhurmës dhe ambientit të përditshëm. Vllaznia është sistemuar mbrëmë në një nga hotelet e plazhit të Velipojës, rreth 35 km larg Shkodrës, në mënyrë që futbollistët të jenë të qetë dhe ta kenë mendjen vetëm te ndeshja e radhës me Pogradecin, sepse detyra e tyre është për ta rikthyer skuadrën sërish në nivelet e duhura.
