E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkia e Tiranës, 40 milion lekë për zonat e përmbytura

TIRANE- Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi me votat e këshilltarëve demokratë dhe të LSI fondin prej 40 milion lekësh për banorët e zonave të përmbytura. Miratimi i shumës solli diskutime të ashpra midis këshilltarëve të Partisë Socialiste dhe atyre të Partisë Demokratike. Propozimi i parë erdhi nga këshilltarët e PD-së për një shumë prej 20 milionë lekësh të reja, ndërkohë më pas këshilltarët e LSI-së propozuan dyfishin, 40 milionë lekë, shifër kjo që u miratua, por pa konsensusin e këshilltarëve të Partisë Socialiste. Këta të fundit theksuan se janë pro miratimit të ndihmës monetare, por jo në një shifër konkrete, sepse më parë duhet të bëhet një draft në lidhje me këtë çështje dhe më pas të miratohet vlera. Sipas këshilltarëve socialistë më parë duhet të shikohen burimet financiare që ka Bashkia e Tiranës pasi nuk mund të ndërhyhet me një shifër të tillë në buxhet pa u diskutuar më parë. Por, duke qenë se numri i këshilltarëve të PD-së dhe LSI-së përbëjnë shumicën në këtë këshill, u mor vendimi për shumën prej 40 milionë lekësh të reja, të cilat do të mbulohen nga buxheti i bashkisë së kryeqytetit. (e.n/news24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›