Greqi, 100 lojtarë test kombëtaren
ATHINE- Janë 100 futbollistë deri më tani që kanë pranuar të testohen nga trajnerët e ekipeve kombëtare të moshave në Shqipëri në datat 18-21 janar në Greqi. Kur duhen edhe 3 ditë nga nisja e këtij grumbullimi, numri i atyre që kanë pranuar të jenë pjesë e kombëtares kuqezi ka kaluar çdo parashikim. Në “zborin” që do të zhvillohet në Athinë do të jetë i pranishëm edhe trajneri i kombëtares Josip Kuzhe, i cili në përfundim do të japë edhe një konferencë shtypi për mediat shqiptare e greke në lidhje me ata që do të spikasin. Lojtarët që kanë pranuar të jenë pjesë e grumbullimit të organizuar nga FSHF me trajnerin e Shpresave Artan Bushati, atë të U19 Ramadan Shehu dhe me prezencën e Kuzhesë, janë të moshës 19-21 vjeç. Ata do të zhvillojnë edhe miqësore me ekipe si AEK, Olimpiakos apo Etnikos. (e.n/A.Latifi/BalkanWeb)