E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkia e Tiranes Asnje tolerim ndaj abuzimit me detyren nga punonjesit e bashkise

Drejtuesit e Bashkisë së Tiranës janë të vendosur të mos tolerojnë asnjë abuzim me detyrën, shkelje të ligjit apo barazisë para ligjit nga punonjësit e bashkisë. Këtë ka deklaruar Drejtori i Përgjithshëm i Tatim-Taksave të Bashkisë së Tiranës, Arben Kau i cili sqaroi arsyet që cuan në vendimin për largimin e 51 inspektorëve të tatim- taksave.

“Performanca e dobët e realizimit të të ardhurave, vetëm 55% në 7 muaj dhe me veprimet dhe mosveprimet e tyre kanë lejuar informalitet në shkallë të gjerë”, ka argumentuar lirimin e tyre nga detyra Drejtori i Përgjithshë i Tatim-Taksave të Bashkisë së Tiranës, Arben Kau.

Moskryerja e detyrës nga inspektorët tatimorë i ka shkaktuar Bashkisë së Tiranës, sipas drejtorit Arben Kau, një borxh tatimore prëj 1 miliardë e 282 milionë lekësh.

Arben Kau thotë se “janë konstatuar gjatë muajit Gusht 2011 afro 500 subjekte të paregjistruara, rreth 20.00 metër katrorë hapësirë publike të evidentuara dhe të padeklaruara. Zënie të hapësirave për parkingje dhe është konstatuar që shumë subjekte nuk kanë kontratë me bashkinë për zënien e këtyre hapësirave, duke krijuar një borxh tatimor prej 1 miliardë e 282 milionë lëkësh”.

Sipas Drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve, largimi i këtyre inspektorëve është bërë pas një analize të të gjithë sektorëve për punen e kryer në 7 muajt e parë të këtij viti. Nga kjo analizë, sipas Arben Kaut doli se të 51 inspektorët nuk kanë kryer detyrën e tyre funksionale. Drejtori i Përgjithshëm i Tatim- taksave e ka konsideruar absurd motivimin politik që i kanë bërë disa inspektorë largimit nga detyra.
“Nuk mendoj se këta inspektorë kanë hyrë në punë në bashki me teserë partie, prandaj është asurd pretendimi i tyre. Ne jemi të vendosur që të mos tolerojmë asnjë abuzim me detyrën, shkelje të ligjit apo barazisë para ligjit nga punonjësit e bashkisë së Tiranës” shprehet zoti Arben Kau.

E ndërsa inspektoret deklaruan se do ti drejtohen prokurorisë, Arben Kau u shpreh i hapur për t’u përballur me pretendimet e tyre në të gjitha institucionet e vendit duke thënë se “ jemi te hapur të respektojmë të gjitha afatet sic i parashikon ligji për punonjësit të cilët janë me kontratë pune në bashki dhe në vazhdimësi po prapë e theksoj që jemi të hapur të përballemi me pretendimet e tyre në të gjitha institucionet e shtetit shqiptar”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›