E Diel, 1 Nëntor 2026

Bashkia e Tiranës aplikon amnisti për bizneset që nuk kanë shlyer taksat



Subjektet private të biznesit të vogël në kryeqytet do të përfitojnë nga amnistia e bërë për borxhet e prapambetura që ata kanë ndaj zyrës së tatim-taksave të Bashkisë së Tiranës. Prej disa javësh Bashkia e kryeqytetit i ka vënë në dijeni të gjitha subjektet për amnistinë nëpërmjet zarfeve postare që u ka nisur çdo subjekti në adresat personale, me qëllim që ata të bëjnë pagesat e prapambetura. Sipas të dhënave nga Bashkia, subjekteve do t’u falen të gjitha kamatëvonesat e gjobave dhe taksave të papaguara para vitit 2008, me kusht që ata të paguajnë principalin e këtyre taksave dhe ato të vitit të kaluar, si dhe të nisin shlyerjen e detyrimeve për vitin 2009. Por deri tani numri i subjekteve të biznesit të vogël që nuk paguan taksat në kryeqytet është mjaftë i madh. Ai është rritur kohët e fundit, ku sipas ekspertëve, shkak është bërë edhe rënia e punës si dhe rreziku që subjektet kanë nga falimentimi. Por, nga ana tjetër, gjobat dhe kamatëvonesat për taksat dhe tatimet e papaguara dhe të prapambetura kanë vijuar, ku në jo pak raste policia dhe inspektorët e Bashkisë kanë vijuar edhe bllokimin e aktivitetit. Aktualisht janë 23 forma të ndryshme, ndërmjet taksave e tarifave që qytetarët dhe subjektet e biznesit të vogël në kryeqytet janë të detyruar me ligj të shlyejnë çdo vit. Ndryshe nga taksat nacionale, si TVSH-ja dhe taksat e tjera qendrore, ato kalojnë për llogari të pushtetit vendor, bashkisë apo komunave. Normalisht, këto fonde kalojnë në buxhetet e tyre, por, mëse një herë, përfaqësues të lartë të Ministrisë së Financave, që kontrollojnë mbledhjen e detyrimeve fiskale edhe në nivel vendor, janë ankuar se realizimi i të ardhurave në këtë nivel mbetet "gangrena" e pushtetit vendor. Sipas të dhënave, edhe në qytetet më të mëdha ka shmangie të konsiderueshme nga detyrimet e taksave dhe tatimeve, sidomos te subjektet e vogla të biznesit ku "taksidari" e i taksuari e njohin mirë njëri-tjetrin.

31 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›