Dhori Kule: “Nuk e marr në shqyrtim çështjen Pango”
Këshilli i Etikës në Universitetin e Tiranës nuk do ta marrë në shqyrtim çështjen “Pango”. Edhe pse i krijuar vetëm pak ditë më parë, rektori i Universitetit, Dhori Kule, deklaron se Këshilli nuk do të merret fare me rastin në fjalë, pasi prej afro një viti ai nuk ishte pjesë e stafit pedagogjik. Këshilli i Etikës në UT duhej të funksiononte që me hyrjen në fuqi të ligjit për arsimin e lartë. Urgjenca për të shqyrtuar një sërë çështjes për të cilat në këtë universitet ka pasur ankesa për shkelje të etikës e ka detyruar Senatin e UT-së që në mbledhjen e fundit të vendosë krijimin e këtij këshilli. Rektori Dhori Kule shpjegon se ky organ nuk mund të funksiononte pa u miratuar më parë statuti i universitetit. Por, meqë ka afro një vit që ky statut bën ecejake mes Senatit dhe Ministrisë së Arsimit, pa marrë nga ky i fundit miratimin përfundimtar, çështja nuk mund të priste më. Përveç ngritjes së Këshillit të Etikës, në mbledhjen e fundit Senati i UT-së bëri disa ndryshime mbi statutin e tij, të rekomanduara nga MASH-i. Rishikimi i ngarkesës mësimore të pedagogëve nga ana e MASH-it ka bërë që Senati i UT-së të rikthejë në këtë ministri statutin e tij. Sipas rektorit të UT-së, Dhori Kule, shumë procese mësimore, si udhëheqja e diplomës, kërkimet shkencore, doktoraturat, të cilat janë plus për stafin pedagogjik, krahas orëve mësimore, nuk kanë pagesa shtesë për profesorët. Për këtë arsye, Kule kërkon që kreu i Arsimit të rishikojë propozimin e bërë nga këshillat e universiteteve për këtë problem.
31 Mars 2009