E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mësuesit, si do të bëhet vlerësimi për rritjen në pagë



Jonida Tashi

Portofoli personal i çdo mësuesi, në të cilin përfshihen të dhënat e tij profesionale, do të jetë një pikë kyçe në vlerësimin e punës së çdo arsimtari. Kjo është faza e parë që do të ndiqet nga specialistët e arsimit për vlerësimin e mësuesve për rritjen në pagë. Por, një kriter tjetër jashtë provimit, për të cilin mësuesit do të marrin pikë në vlerësim ose jo, është programi i veçantë që ata kanë përgatitur për lëndën që japin mësim sipas specifikave të asaj lënde, para nënshtrimit të provimit me shkrim. Ndërsa faza e dytë është për fitimin e shkallëve të kualifikimit është vlerësimi i provimit që mësuesit kanë zhvilluar ditën e djeshme. Gjithsesi, mësuesve do t’u duhet të presin deri në mesin e muajit pasardhës për t’u informuar se cilën prej tri shkallëve të kualifikimit kanë fituar. Sipas rregullores së Ministrisë së Arsimit, për testimin e mësuesve për kualifikim, shpallja e rezultateve bëhet brenda 15 ditësh nga përfundimi i provimit.
Vlerësimi
Vlerësimi i të gjitha testeve do të kryhet në Tiranë, pranë Institutit të Kurrikulës dhe Trajnimeve (IKT). Aktualisht, me urdhër të drejtorit të IKT-së, janë ngritur komisionet e vlerësimit, që do të merren me korrigjimin e provimeve të mësuesve në të gjithë vendin. Anëtari i një komisioni vlerësimi nënshkruan paraprakisht një kontratë me drejtorin e IKT-së, në të cilin përshkruhen detyrimet reciproke. Anëtar i komisionit të vlerësimit është: punonjës i IKT-së ose i AVA-s, i cili është diplomuar në lëndën përkatëse, është autor i programeve lëndore ose i teksteve përkatëse lëndore. Anëtar i komisionit të vlerësimit mund të jetë edhe një mësues që nuk është kandidat për kualifikimin 2009. Për çdo lëndë është ngritur një komision i përbërë nga 3 veta. Testet e të gjitha lëndëve, cikleve dhe profileve kanë të njëjtin numër total pikësh. Në fletë-testin, për çdo kërkesë shënohet numri i pikëve përkatëse. Vlerësimi i përgjigjes së kandidatit do të bëhet me pikë. Vlerësuesit veçojnë testet e dyshuara për kopjim. Shuma e pikëve të një kandidati shënohet në krye të fletë-testit të tij dhe firmoset nga të tre vlerësuesit.
Shqyrtimi
Pjesëmarrësit në provime, që kanë dhënë ose kanë marrë kopje sipas pohimit të komisionit të shqyrtimit të testeve, do të ndëshkohen me mosmarrje të shkallës së kualifikimit. Mësuesit e ndëshkuar me mosmarrje të shkallës së kualifikimit, për arsye të përjashtimit nga provimi ose të kopjimit, kanë të drejtë të aplikojnë për kategorinë e pretenduar jo më parë se dy vjet. Për të evidentuar rastet e mësipërme pranë IKT-së është ngritur edhe komisioni i shqyrtimit të testeve, që përbëhet nga pesë veta. Komisioni i shqyrtimit të testeve shqyrton testet e dyshuara për kopjim, veçon me shumicë votash testet në të cilat është kopjuar. Anëtari i komisionit të shqyrtimit të testeve nënshkruan paraprakisht një kontratë me drejtorin e IKT-së, në të cilin përshkruhen detyrimet reciproke. Anëtar i komisionit të shqyrtimit të testeve është: punonjësi i IKT-së ose i AVA-s, i cili është diplomuar në lëndën përkatëse, është autor i programeve lëndore ose i teksteve përkatëse lëndore; mësues që nuk është kandidat për kualifikimin 2009. Pas përfundimit të procesit të vlerësimit të provimeve përgjegjësi i sektorit të burimeve njerëzore në drejtorinë arsimore përkatëse do të njoftojë kandidatët për të paraqitur formularët e aplikimit për marrjen e shkallës së kualifikimit.

Procedura për ankimimin e rezultateve

Brenda pesë ditëve nga data e provimit, pjesëmarrësi në provim ka të drejtë t’i ankohet zyrtarisht drejtorit të Drejtorisë Arsimore Rajonale Tiranë (DART) për: parregullsi në procedurat e zhvillimit të provimit; ndëshkimet që mund të ketë pësuar nga administratori ose përgjegjësi i administrimit të provimit. Pas kësaj, drejtori i DAR-it, të cilit i është drejtuar ankesa, i dorëzon ankuesit përgjigjen zyrtare brenda pesë ditëve nga data e dorëzimit të ankesës. Nëse ankuesi nuk e merr përgjigjen brenda afatit ose gjykon që përgjigjja është e pamjaftueshme për të, ai ka të drejtë t’i drejtohet zyrtarisht drejtorit të Institutit të Kurrikulave dhe Trajnimit (IKT) brenda pesë ditëve nga përgjigjja e marrë nga DAR. Drejtori i IKT-së duhet t’i nisë përgjigjen ankuesit brenda 10 ditëve nga data e marrjes në dorëzim të ankesës. Nëse një pjesëmarrës në provim nuk e pranon rezultatin e provimit, i nis drejtorit të IKT-së kërkesën për t’u njohur me qortimin e testit të tij. IKT-ja i dorëzon ose i dërgon ankuesit një fotokopje të testit të tij, kundrejt një pagese prej 300 lekësh. Nëse ankesa e pjesëmarrësit në provim gjykohet e drejtë nga vlerësues të ngarkuar nga drejtori i IKT-së, testi i ankuesit rivlerësohet. Nëse një ankues nuk është i kënaqur me përgjigjen përfundimtare të IKT-së, ka të drejtën e ankimimit në MASH.

31 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›