E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: ”Qeveria e detyroi biznesin e vogël të paguajë 10 përqindëshin”



Emanuela Sako

Kryebashkiaku Edi Rama u është përgjigjur akuzave të kryeministrit mbi rritjen e taksave vendore. Ai ka bërë përgjegjëse qeverinë që ka rritur taksat dhe konkretisht tatimin mbi fitimi. Sipas tij, Bashkia ka ulur në mënyrë të vazhdueshme taksat vendore dhe të biznesit.
Rama i ka bërë deklaratat gjatë një vizite në disa biznese të kryeqytetit. Kryebashkiaku ka vënë në dukje faktin që të gjitha bizneset e vogla, brenda datës 31 mars, duhet të bëjnë pagesën e detyruar nga vendimi i qeverisë. Rama ka ndalur në një furrë buke në rrugën “Fortuzi” dhe ka biseduar me pronarin për pasojat negative që ky tatim i dyfishtë do të sjellë për të gjitha subjektet tregtare që kanë një xhiro vjetore mbi 2 milionë lekë. “Rëndesa biznesit i vjen pikërisht nga tatimi mbi fitimin, që është edhe tatim i dyfishtë, përveç të tjerash. Megjithatë, unë ju siguroj ju dhe gjithë të tjerët se pas 28 qershorit ky trajtim i biznesit do të marrë fund dhe ne do të ndërtojmë një aleancë me biznesin duke e mbështetur atë në mënyrë që të luftojmë papunësinë dhe të luftojmë varfërinë”, - u shpreh Rama.
Bizneset
Në Tiranë janë rreth 16 mijë biznese, të cilat rezultojnë me fitim dhe 3000 të tjera rezultojnë pa fitim, ose e mbyllin aktivitetin e tyre në fund të vitit. Këto 16 mijë biznese të vogla në Tiranë do të paguajnë më shumë taksa dhe tatime, ku për herë të parë zbatohet tatimi mbi fitimin në masën 10 për qind për subjektet e vogla private. Të ardhurat që do të mblidhen nga kjo taksë nuk do të shkojnë në arkën e Bashkisë, por në buxhetin e shtetit. Kreu i Bashkisë ka llogaritur masën e fitimit të një biznesi të vogël mbi bazën e të cilit do të përllogaritet tatimi që ai duhet t’i paguajë shtetit. Sipas tij, kjo dëshmon faktin se është qeveria që rrit taksat, dhe jo Bashkia e Tiranës. “Ju siguroj ju se mbas 28 qershorit ky trajtim për biznesin do të marrë fund dhe ne do të ndërtojmë një aleancë me biznesin, pasi ai në kohë krize duhet mbështetur në mënyrë që të luftojmë papunësinë dhe të luftojmë varfërinë”, - u shpreh kreu i Bashkisë, Rama.
Taksat
Brenda datës 31 mars, të gjitha bizneset e vogla duhet të derdhin në llogarinë e buxhetit 10 për qind të fitimit të realizuar deri në fund të vitit 2008. Sipas përllogaritjeve të Bashkisë së Tiranës, 10 për qind e tatim fitimit për biznesin e vogël është më shumë se 50 për qind e uljes së taksës së biznesit të vogël mbi xhiron që u krye në vitin 2005. Bashkia pretendon se gjatë tre viteve të fundit ajo ka ulur me 30 për qind taksën e biznesit të vogël dhe atë të pasurisë nga niveli i përcaktuar me ligj për të gjitha bizneset e prodhimit në qytetin e Tiranës, me qëllim lehtësimin e kushteve të krizës energjetike që kalonte vendi.

31 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›