E Shtunë, 31 Tetor 2026

Këshilli Bashkiak miraton rregullat dhe tarifat e shërbimit taksi



Qytetarët që do të zgjedhin të udhëtojnë me shërbimin taksi në kryeqytet tashmë do të kenë tarifa të përcaktuara për kilometrat që do të përshkojnë. Këshilli Bashkiak i Tiranës, në mbledhjen e tij të radhës, miratoi tarifat dhe rregullat e reja për shërbimin taksi në kryeqytet. Shoqatat e taksistëve kanë kërkuar vendosjen e taksimetrave për të gjitha shërbimet taksi dhe në këtë mënyrë do të shmangej konkurrenca e pandershme. Vendimet që u morën gjatë kësaj mbledhjeje janë: vendimi “Mbi miratimin e rregullores”, “Për organizimin dhe funksionimin e shërbimit taksi në qytetin e Tiranës”, vendimi “Caktimi i çmimeve dhe tarifave në shërbimin taksi të qytetit të Tiranës”, si dhe vendimi për “Një ndryshim në Vendimin e Këshillit Bashkiak Nr. 20, datë 26.04.2002 mbi ‘Financimin e kuotës së anëtarësimit të qytetit të Tiranës në Shoqatën Botërore të kryeqyteteve frankofone’”.
Këshilli Bashkiak i Tiranës rimblidhet pas disa muajsh ndërprerjeje për të diskutuar çështjet e parashikuara në rend të ditës. Por që në fillim të mbledhjes debati ka devijuar me pretendimet e anëtarëve të PD-së, të cilët e kanë konsideruar të pambyllur çështjen e buxhetit të Tiranës. Ata kanë kërkuar futjen në rend të ditës dhe rikthimin për votim për buxhetin e këtij viti. Çështja ka kaluar në debate të forta mes PD-së dhe PS-së, ku për këta të fundit çështja e buxhetit është e mbyllur dhe fondet kanë shkuar në të gjitha njësitë bashkiake. Ka mjaftuar ky moment për të bërë që anëtarët e PD-së të lënë sallën e mbledhjes së Këshillit. Pas kësaj situate gjithçka ka kaluar në qetësi dhe është vazhduar me rendin e ditës.

31 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›