E Diel, 1 Nëntor 2026

Një reflektim mbi furtunën

Nuk besoj se do të më lexojnë shumë veta, por më mirë “pak dhe sak”, si i thonë.
Gjykoj se pas komunizmit është krijuar ashtu si një magmë vullkani që shkon teposhtë, pa kontroll, një shoqëri pa konture të qarta se ku po shkojmë. Kapitalizmi na bëri mirë duke na shpëlarë nga ideologjitë e së kaluarës, por komunizmi mbeti ende në disa forma mendore që shfaqen herë pas here, ndoshta edhe pse, pas kësaj kundërvënieje, nuk kemi ndërtuar ende diçka që ia vlen të përmendet.
Në këtë përsiatje modeste po përpiqem të hedh disa reflektime aty në shesh, ku lexuesi mund të marrë ç’t’i kërkojë mideja.
Për kronikë po riprodhoj një lajm që spikat. Sipas një studimi të kryer nga MASH, në bashkëpunim me ndërkombëtarët, është konstatuar se 44 përqind e nxënësve 15-vjeçarë rezultojnë të kenë arritje tepër të ulëta përsa i përket leximit. Kush ka pyetur se përse jemi katandisur në këtë farë feje? Gjykoj se ka shumë pak, edhe ekspertët vendas, që merren me këtë punë. Këta adoleshentë janë të mirëinformuar mbi tipat e fundit të celularëve, apo web-sajtet e ndryshme, ndërsa për shkrimtarë vendas a të huaj nuk bëhet fjalë. Edhe Ismail Kadarenë, besoj e kanë dëgjuar në ndonjë kuic televiziv. Të kuptohemi, këtë nuk e them unë, por vetë institucioni me siglën MASH. Mirëpo nuk është krejt gri puna në arsim... Ka mjaft ekselenca që duhen ndihmuar e subvencionuar në thellimin e studimeve. Për të shtuar paksa dozën e optimizmit, duhet thënë se konstatohet se kemi një potencial të natyrshëm intelektual të ri, që po shkollohet, në universitetet e Perëndimit apo në ato vendase, që mund të japin një dorë në ndërgjegjësimin e momenteve thelbësore të historisë, qenies, ideve dhe mendësisë shqiptare. Ndërkaq, projekti “Brain Gain” - rikthimi i trurit - ishte një eksperiment interesant, por fatkeqësisht i mbetur në tentativë, pasi hapësirat dhe kushtet ku mund të punojnë janë jo shumë të favorshme si ekonomikisht, ashtu edhe profesionalisht. Jo të favorshme, besoj, sepse politika si duket nuk i intereson të dalë nga mjegullnaja ku është futur.
Kuptohet vetiu se këto janë qëllime absurde, por janë qëllime që qëllojnë të jetë mbisunduese. Në Kukës kanë një shprehje folklorike, mjaft interesante: “pas mjegullës, fshihet ujku”. Në kuptimin se mbas çdo mjegullnaje është i favorshëm për ligjin e xhunglës ku njerëzit ashtu si ujqërit mund të bëjnë pa frikë safari në hapësirat publike. Personalisht kam parë studentë shqiptarë që rropaten nëpër universiteteve të huaja, duke përplasur çdo ditë neuronet për një punë që do të ketë stampën e universiteteve të botës, kur fare mirë me një projekt rikthimi të profesionistëve, të akademikëve mund të bëhej një hap cilësor në zgjidhjen e disa mangësive të theksuara në tregun shqiptar. Politika e sotme shqiptare ecën sipas parimit se tregu do të zgjidhë gjithçka, pra tregu është një “deus ex machina”, që do të vijë nga qielli për të vendosur melhemin në plagën e një shoqërie që nuk del dot nga rrethi vicioz ku është futur. Duke pasur një rini dinamike, por pa vizion, që e kthen dinamizmin në një apati mbrojtëse që justifikon simbiozën e dëshirës me kafenë. Shumë pak veta e panë se sa pak u debatua buxheti i vitit 2010, jo vetëm në parlament, një ditë e vetme, por edhe jashtë saj në opinionin publik, që nuk është i ndërgjegjshëm se buxheti reflekton atë që do të investohen në pritshmërinë e shkurtër njëvjeçare. Çuditërisht as mediet nuk e shtrydhën këtë argument që ka një impakt direkt në interesin e taksapaguesve shqiptarë, por, e lanë ashtu në mirëbesim se shteti di gjithmonë se çfarë të bëjë për popullin. I njëjti komunizëm mendor që kishte edhe partia e punës, mbijeton në shfaqje të reja. Nuk kishte një ekspert të financave që hodhi një ide, një dyshim a një alternativë se si dhe çfarë do të thotë buxhet. Kush gjykoi të pyesë se sa janë rritur fondet për arsimin dhe shëndetësinë? Kush do ta maste efektivitetin e investimeve, përpos se ekspertëve të ndryshëm? Mjafton të shikojnë një botë ku informacioni është i bollshëm sesi në vendet me demokraci liberale 400-vjeçare ose më pak në vite, kur vjen puna tek diskutimi i buxhetit bëhet një analizë e thellë, lëshon akuza, jepen alternativa, arnohen ligje mbi buxhetin e kuedi unë se çfarë tjetër. Por ne jemi një popull i jashtëzakonshëm, që do të më pëlqente ndonjëherë të ishte një populli i zakonshëm, si gjithë popujt e tjerë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›