Kryepeshkopi i Londrës pranon se konvertimi në katolicizëm po kryhet për arsye teologjike
Filluan dje në Romë punimet e Komisionit të ngarkuar me përgatitjen e fazës së tretë të dialogut teologjik ndërkombëtar ndërmjet Kishës Katolike dhe Bashkimit Anglikan. Ky takim i rëndësishëm vjen menjëherë pas audiencës të së shtunës së Papës Benedikti XVI me kryeipeshkvin e Kanterburit, Rouan Uiliams. Në qendër të bisedimeve, Kushtetuta apostolike e miratuar nga Ati i Shenjtë për anglikanët që dëshirojnë të hyjnë në gjirin e Kishës Katolike. Mbi këtë çështje kryeipeshkvi Uiliams flet në mikrofonin e Radio Vatikanit: “Natyrisht shpreha disa shqetësime lidhur me mënyrën se si u shpall kjo Kushtetutë, pasi shumë anglikanë, përfshirë edhe mua, u ndjenë në vështirësi, jo aq për përmbajtjen se sa për disa mesazhe që u dhanë; prandaj, kisha nevojë të konsultohesha me Papën për disa nga këto shqetësime e besoj se u shprehën dhe u dëgjuan me një frymë shumë miqësore. Mesazhi i kreut të Vatikanit ishte se Kushtetuta nuk përfaqëson asnjë ndryshim në sjelljen e Vatikanit ndaj Bashkimit Anglikan. Për takimin tonë është bërë e njohur edhe një komunikatë shumë e qartë, e cila flet për bisedimet e reja ndërmjet katolikëve dhe anglikanëve, që Papa dëshiron t’i vazhdojë”. Pyetjes së çfarë mendoni për anglikanët që e konsiderojnë kthimin në katolicizëm gjënë më të mirë që mund të bëjnë, ai iu përgjigj: “Mendoj se personat që kalojnë në katolicizëm e bëjnë këtë me bindje, me vetëdije. Mirë për ta! Ndër ata që nuk bëhen katolikë ka anglikanë tradicionalë, të cilët nuk janë të kënaqur nga drejtimi që po merr Bashkimi Anglikan me shugurimin e grave për meshtar. Për të mos folur për çështjen e homoseksualëve! Pra, brenda bashkësisë anglikane ka një gamë shumë të gjerë qëndrimesh teologjike, që shkojnë nga qëndrimi në favor të shugurimit të grave e deri te ata që mendojnë se këtë problem duhet ta diskutojmë jo vetëm brenda nesh, por duhet ta zgjidhim edhe me Kishat e tjera. Por gjithçka brenda një spektri të gjerë qëndrimesh. Nuk dua që ky spektër të ngushtohet: ja përse shqetësohem të mbaj sa më tepër persona rreth tryezës së bisedimeve”. Lidhur me gjasat e një vizite të Atit të Shenjtë në Britani, kryepeshkopi Uilliams u përgjigj: “Mendoj se do të varet shumë nga mënyra se si Papa do t’i flasë gjithë shoqërisë britanike e jo vetëm katolikëve. Është shumë domethënëse që në qendër të vizitës është kardinali Njuman, pasi ai nuk është vetëm pronë e Kishës Katolike romake. Ka qenë një nga intelektualët dhe letrarët më të mëdhenj të shekullit XIX dhe Atit të Shenjtë i kam thënë ta mendojë në atë kuptim, për t’ju drejtuar krejt shoqërisë britanike”.
Papa e kryeministri i Kuvajtit, në Vatikan, bisedojnë për paqen në Lindjen e Mesme dhe dialogun ndërfetar/Benedikti XVI priti dje paradite në Vatikan, kryeministrin e Kuvaitit, Madhërinë e Tij, Shehun Naser Al-Mohamad Al-Ahmad Al-Sabah, që më pas u takua edhe me kardinalin Tarçizio Bertone, sekretar i Shtetit të Vatikanit, i cili shoqërohej nga kryeipeshkvi Dominik Mambertì, sekretar për marrëdhëniet me shtetet. “Gjatë bisedimeve të përzemërta – njofton një komunikatë e Sallës vatikanase të Shtypit – u kujtuan marrëdhëniet e mira dypalëshe më se dyzetvjeçare ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Kuvaitit. Më pas u prekën disa tema me interes të përbashkët, duke pasur parasysh, në radhë të parë, promovimin e paqes e të dialogut ndërfetar në zonën e Lindjes së Mesme. Në vijim u fol edhe për kontributin pozitiv e domethënës që i jep pakica e krishterë shoqërisë kuvaitiane, duke nënvizuar se kjo bashkësi ka nevojë për asistencë baritore.
Benedikti XVI në Engjëllin e Tënzot: Krishti është mbret, që sundon me dashuri e shpresë, pa u imponuar, por duke respektuar lirinë e njeriut/ “Pushteti mbretëror i Krishtit nuk është ai i të mëdhenjve të kësaj bote. Është pushtet, që përdoret për të mundur të keqen dhe vdekjen e për të ndezur shpresën edhe në zemrën më të ngurtësuar”. Benedikti XVI e shpjegoi kështu, në lutjen e Engjëllit të Tënzot, kremtuar në mesditë në Sheshin e Shën Pjetrit, kuptimin e festës së fundit, që mbyll vitin liturgjik, kushtuar Krishtit Mbret i Universit. Papa kujtoi edhe lumnimin e Motrës Mari-Alfonsinë Danil Ghatas, kremtuar dje paradite në Nazareth dhe falënderoi për lutjet e tyre, rregulltaret e klauzurës, në mënyrë të posaçme, bashkësinë e klaustraleve të Manastririt të vogël në Vatikan, pak orë pas kremtimit të Ditës ‘Pro Orantibus’. Të dielën e fundit të çdo viti, para fillimit të Kohës së Ardhjes, çdo besimtari i krijohet përsëri rasti të reflektojë për kuptimin e pushtetit mbretëror të Krishtit, krejt në kundërshtim me mënyrën si konceptohet historikisht ky pushtet nga kultura njerëzore. Ç’kuptim ka pushteti i Jezu Krishtit Mbret, po ta krahasojmë me atë të një monarku, që sundon mbi tokë? Pushteti i Krishtit – pohoi Papa: “... nuk është ai i mbretërve e i të mëdhenjve të botës; është pushtet hyjnor për të dhënë jetën e pasosur, për të çliruar nga e keqja, për të përmbysur sundimin e vdekjes. Është pushtet i Dashurisë, që di të nxjerrë të mirën nga e keqja, të zbutë zemrën më të ngurtë, të çojë paqen në mes të ndeshjes më të ashpër, të ndezë shpresat në errësirën më të dendur. Kjo Mbretëri e Hirit nuk imponohet kurrë. Përkundrazi: e respekton gjithnjë lirinë tonë”. Solemniteti i Krishtit Mbret nisi të kremtohej më vonë se disa festa të tjera – shpjegoi Papa – por rrënjët e tij biblike e teologjike janë tejet të thella: “Titulli ‘mbret’, që i jepet Jezusit, është shumë i rëndësishëm në Ungjijtë. Krijon mundësitë për ta kuptuar plotësisht figurën e Tij e misionin e Tij të shëlbimit. Në këtë drejtim mund të vërejmë një rritje: fillohet me shprehjen ‘mbret i Izraelit’ e arrihet në atë të mbretit universal, Zotërisë së gjithësisë e të historisë, domethënë shumë më përtej shpresave, që ushqente vetë populli i Izraelit”.
Përpara madhështisë së këtij pushteti mbretëror, paradoksal me simbolin e tij, Kryqin, çdo ndërgjegje njerëzore – vijoi Benedikti XVI – nuk mund të mos e pyesë veten: “Kë do të ndjek! Zotin, apo qoftëlargun? Të vërtetën apo gënjeshtrën?”: “Të marrësh anën e Krishtit nuk të garanton suksesin sipas kritereve të botës, por të siguron atë paqe e atë gëzim, që vetëm Ai mund ta japë. E dëshmon, në çdo epokë, përvoja e shumë burrave e grave që, në emër të Krishtit, në emër të së vërtetës e të drejtësisë, ditën t’i kundërvihen lajkave të pushteteve tokësore të fshehura pas maskave, deri në atë pikë, sa ta vulosnin me martirizim këtë besnikëri”.
E një nga këta njerëz të jashtëzakonshëm u kujtua nga Papa pas lutjes së Engjëllit të Tënzot e para përshëndetjeve në pesë gjuhë të ndryshme të botës, kur Benedikti XVI shkoi me mend në Tokën Shenjte, për të marrë pjesë simbolikisht në kremtimin e rëndësishëm, që u mbajt dje paradite në Nazareth, gjatë të cilit u shpall e Lume Motra Mari-Alfonsinë Danil Ghatas, rregulltare, që jetoi në vitet tetëqind. Ajo – shpjegoi Papa – ka meritën e themelimit të një Kongregate vetem me gra vendase, për të dhënë mësime feje, për të mundur analfabetizmin e për ta lartuar gruan e kësaj kohe në tokën, ku dinjitetin e saj e mbrojti vetë Jezusi. E shtoi: “Lumnimi i kësaj figure kaq domethënëse është tejet ngushëllues për bashkësinë katolike të Tokës Shenjte e njëkohësisht, ftesë për t’ia besuar gjithnjë vetveten, me shpresë të patundur, Provanisë Hyjnore e mbrojtjes amtare të Marisë”.
Së fundi Benedikti XVI foli edhe për kujtimin liturgjik të së shtunës së kaluar, kushtuar Paraqitjes së Zojës së Bekuar në Tempull. Pasi kujtoi se, në përkim me këtë festë, kremtohej edhe Dita Pro Orantibus, në ndihmë të bashkësive rregulltare të klauzurës, Papa e përfundoi lutjen duke i ftuar të gjithë t’i mbështesin këto bashkësi në nevojat e tyre e duke i falënderuar publikisht, posaçërisht murgeshat e Manastirit të vogël në Vatikan, që kanë ardhur njëra pas tjetrës, duke nisur nga Klariset, tek Karmelitanet, Benediktinet e, kohët e fundit, Vizitantinet. “Lutja juaj, të dashura motra, është tejet e çmuar për ministerin tim” - theksoi Benedikti XVI.
Marrë nga Radio Vatikani