E Diel, 1 Nëntor 2026

Opcioni i ri gjeostrategjik i Turqisë

Edhe pse Evropa pyet nëse turqit janë të denjë të hyjnë në klubin e BE-së, vetë Turqia po ndërton një rol të ri, me profil më shumë aziatik e të Lindjes së Mesme, seç mund ta kishim menduar pas qasjes për të hyrë në strukturat euro-atlantike. Stambolli po e bën këtë në radhë të parë, duke vlerësuar më shumë pasurinë e vet politiko-kulturore të një vendi mysliman, i gatshëm të dialogojë me të gjithë vendet islamike, edhe me ato që duken të papëlqyeshme për Perëndimin, si Irani apo - ta zëmë - Sudani. Dhe e bën në radhë të dytë për të kërkuar që të ulë disi konfliktet me disa vende të rajonit.
Siria, edhe pse ka një sherr jo fort të vjetër me Turqinë, lidhur me Aleksandretën (një qytet sirian e shndërruar turk në fund të viteve ‘30), është shndërruar në një partner të çmuar politik. Armenia, e cila ende i mban mend masakrat turke të Luftës së Parë Botërore, ka pritur si mik në kryeqytetin e vet presidentin turk Abdullah Gyl, bile ka firmosur së fundmi me Ankaranë edhe një marrëveshje për hapjen e kufijve dhe nisjen e marrëdhënieve tregtare.
Tjetër: Edhe pse i ka ndaluar çdo autonomi, qeveria turke ka bërë këto kohë disa lëshime kulturore ndaj komunitetit kurd (duke i garantuar përshembull, përdorimin e gjuhës kurde, e cila më parë ishte e ndaluar) dhe ka garantuar thuajse një amnisti për grupet militante te PKK-së (Partisë secesioniste të Abdullah Oçalanit), të cilat i kanë bazat e tyre përgjatë kufirit më Irakun
Edhe pse shpeshherë ka denoncuar mbështetjen e Kurdistanin Irakian për guerriljen kurde brenda kufinjve të Turqisë si dhe dhënien e azilit politik për shumë eksponentë të lëvizjes, ministri i Jashtëm turk bëri para pak kohësh një vizitë në qytetin e Erbilit - thuajse një kryeqytet ekonomik i rajonit - ku deklaroi edhe hapjen e një konsullate.
Këto sinjale drejt botës islamike janë bërë më të qarta, qëkur Turqia, edhe pse ka një prani amerikane në territorin e vet, refuzoi të bëhej bashkëpunëtore në luftën amerikane kundër Irakut (të Sadam Hyseinit). Ky areal gjeopolitik ka pritur pozitivisht edhe mbështetjen e opinionit publik turk, pasi kryeministri i vendit, Recep Tayyip Erdogan, bëri një protestë kundër luftës në qytetin e Gazës në Palestinë, gjatë një tryezë ekonomike në Davos, në të cilën merrte pjesë edhe presidenti izraelit Shimon Peres.
Por kjo hapje ndaj botës islame, nuk e ka penguar politikën e jashtme të Ankarasë të vijojë marrëdhëniet ekonomike me partnerin Italian (njëri nga furnizuesit më të mëdhenj me armatime), me BE-në si dhe me Rusinë. Kur Silvio Berluskoni dhe Vladimir Putin, pas një vizite në Rusi të kryeministrit italian, folën për gazsjellësin South Stream (i projektuar nga kompania ruse Gazprom dhe ENI italian, për furnizimin me energji të Evropës Jugore dhe asaj Qendrore), kryeministri Erdogan u shfaq i pranishëm gjatë bisedimeve, përmes një video-konference.
Por shumë të tjerë në Turqi pyesin veten nëse kryeministri Erdogan dhe partia e tij (AKP), duan ta kthejnë shtetin laik të krijuar nga Qemal Ataturk, në një republikë islamike?
Pasi u kontestua seriozisht nga establishment-i ushtarak, Rexhep Taip Erdogan mundi t’i fitonte zgjedhjet, të impononte kandidaturën e Gylit në krye të shtetit dhe bile kundërsulmoi, muaj më parë, me një hetim prokurorie (çështja Ergenekon), i cili rrezikoi të nxirrte në dritë një komplot laiko-nacionalist, që synonte të nxirrte të jashtëligjshme, edhe njëherë tjetër, mazhorancën qeverisëse si një parti islamike.
Shumë mendojnë se kjo Turqi e re, myslimane dhe demokratike, mund të bëhet për botën që e rrethon, një nga modelet më të mira dhe për BE-në, një partner fort i rëndësishëm. Kjo ngjan të jetë edhe nyja që BE-së do t’i duhet ta zgjidhë, kur në vitet në vijim do të jetë e kushtëzuar të përballojë - kësaj herë pa ambiguitet - problemin e zgjerimit të vet edhe me Turqinë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›