E Diel, 1 Nëntor 2026

Edi Rama shiti tokën shtetërore për të ngritur lokalin “Taivan”, si sponsorizim ndaj klientit të tij

Ministri i Punëve Publike Sokol Olldashi denoncon skandalin e abuzimit me truallin ku është ngritur kompleksi “Taivan”, duke e akuzuar Edi Ramën se e shiti tokën për llogari të mikut të tij Besnik Sula, pa qenë fare pronë e bashkisë apo pronë private, por duke futur duart në një pronë shtetërore. Para 10 ditësh, me një speciale katërditore, edhe gazeta “55” pati denoncuar abuzimet që institucionet shtetërore patën vërejtur në privatizimin e tokës ku është ngritur kompleksi “Taivan”

Ministri i Punëve Publike, Transporteve dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi hodhi dritë dje mbi një aferë abuzive të kryebashkiakut Edi Rama. Kjo aferë, ka qenë disa ditë më parë edhe objekt i një specialeje të gjatë denoncuese nga Gazeta “55”.
Në një konferencë për shtyp, Ministri Olldashi bëri transparente për mediat, skandalin e rëndë, abuzimin kriminal me pushtetin vendor dhe të vjedhjes së qytetarëve as më shumë e as më pak, por nga Edi Rama. Olldashi tha se Rama ka përdorur si sekser një punonjës të bashkisë, për të lidhur kontratën me shoqërinë “Taiwan”, me objekt shitjen e truallit prej 1310m2, ku aktualisht është ndërtuar kompleksi me të njëjtin emër.
“Unë po ju paraqes një dokument të cilin Edi Rama me datë 7 mars 2005 ka autorizuar një nëpunëse të bashkisë të lidhë një kontratë me shoqërinë “Taiwan”. Objekti i kontratës është shitja e një trualli prej 1310 m2 kësaj shoqërie, gjë që përbën një abuzim skandaloz me pushtetin dhe një rast të vjedhjes së hapur të pasurive të qytetarëve të Tiranës dhe qytetarëve shqiptar. Kam përpara kontratën e shitjes së pasurisë së paluajtshme, ku në nenin 83 të Kodit Civil thuhet, ‘Veprimi juridik për kalimin e pronësisë së sendeve të paluajtshme dhe të drejtave reale mbi to duhet bërë me akt noterial’. Kjo përbën bazën ligjore dhe neni 705, i cili thotë se, ‘kontrata e shitjes që ka për objekt kalimin e pronësisë së një sendi’. Nuk ka asnjë mbështetje ligjore vetë akti ose shitja e truallit shtetëror një qytetari apo një shoqërie siç është në rastin konkret shoqëria ‘Taiwan sh. p. k’. Ose siç thuhet në objektin e kontratës në pikën 1.1 - Shitja e truallit me sipërfaqe 1310 m2. Këtë sipërfaqe publike kryetari i bashkisë nga publike e ka kthyer në tokë të Besos, nga tokë e qytetarëve të Tiranës është shndërruar në një tokë të një njeriu të afërt të rrethit të Edi Ramës, një klienti frekuent të bashkisë, një miku financiar dhe politik të kryetarit të Partisë Socialiste”, u shpreh ministri Olldashi.
Lidhur me çështjen në se bashkia ka qenë në dijeni që trualli është shtetëror, ministri Sokol Olldashi specifikoi një shkresë të 9 marsit 2005 firmosur nga Regjistruesi i Përgjithshëm i asaj kohe Gazmend Zeneli, ku saktësohet se kjo pronë figuron shtetërore.
Kësisoj, bashkia e Tiranës ka qenë në dijeni të faktit që kjo tokë ishte shtetërore dhe megjithatë në kundërshtim me ligjin e ka shitur atë.
“Në kundërshtim me ligjin sepse ka të paktën dy shkelje flagrante të ligjit. I pari që është ligji i vitit 2005 për shitblerjen e trojeve neni 3 në të cilin thuhet, ‘Ndalohet shitja dhe shitblerja e trojeve publike deri sa të përfundojë kompensimi fizik i ish pronarëve. Kalimi i trojeve të lira nga pronë shtetërore në pronë private lejohet vetëm në rastet që vijojnë; për ndërtimin e banesave me qëllim të lirimit të banesave të ish pronarëve, dhe rasti i dytë është me vendim të Këshillit të Ministrave për shitje me synim investime shumë të rëndësishme për vendin’, tha ministri Olldashi.
Sipas tij, Besnik Sula nuk ka bërë ndonjë banesë atje, por ka bërë një aktivitet fitim prurës. Ministri Sokol Olldashi shtoi se “Taiwani” nuk është ndonjë investim shumë i rëndësishëm për vendin duke qenë se në Tiranë ka të paktën 3 mijë kafene të tjera.
Gjithashtu, Olldashi konstaton edhe një shkelje tjetër ligjore.
Në këtë aspekt theksohet se pasuritë e paluajtshme dhe të drejtat reale mbi to që janë fituar dhe njohur sipas dispozitave të këtij kodi nuk mund të tjetërsohen dhe kur është rasti të ngarkohen me barrë në rast se nuk është bërë regjistrimi i tyre ne Rregjistrin e Pasurive të Paluajtshme.
“Sikurse u dëshmua përmes shkresës së Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të vitit 2005, kjo pasuri figuronte pasuri - shtet dhe jo pasuri e lirë. Kjo është dosja dhe dokumentacioni i plotë i një abuzimi skandaloz me pushtetin nga kryetari i bashkisë. Thënë me hapur është një dosje ku verifikohet dhe vërtetohet që nëpërmjet përdorimit të pushtetit për interesa thellësisht private kryetari i bashkisë i ka vjedhur qytetarëve të Tiranes 1310 m2 mu në zemër të kryeqytetit ose shprehur në vleftë lekësh i ka vjedhur 2.6 milion euro sepse kjo tokë i është shitur Besos me 120 mijë lekë (të vjetra) apo 12 mijë lekë (të reja). Pra me më pak se 100 euro m2 mu në zemër të kryeqytetit. Kur vlera duhet të ishte minimalisht të paktën 2 mijë euro. Pra edhe në vlerë është vjedhur përveçse nuk ka pasur të drejtë ta shesë ja ka shitur me një çmim qesharak duke bërë që qytetarëve të Tiranës t’i grabiten 2.6 milion euro ose 3.7 miliard lekë. Janë vjedhur e i janë dhënë Besos së ‘Taiwanit’, pra lidhjeve  politike dhe financiare të kryetarit të bashkisë”, tha më tej Olldashi, duke denoncuar interesat që mbron Edi Rama, duke i cilësuar ato si interesa kriminale të klanit të tij,  por që nuk janë interesat e qytetarëve shqiptarë, nuk janë interesat e publikut shqiptar.
Ministri Olldashi inkurajon të gjitha institucionet e zbatimit të ligjit që ta marrin në disponim këtë dosje, ta shqyrtojnë dhe t’i japin përgjigje 2.6 milion eurove apo 3.7 miliard lekëve të qytetarëve, të cilat janë shumë për tu falur qoftë edhe nga kryetari i bashkisë.

Gazeta “55” zbardhi skandalin me dokumente e dëshmi disa ditë më parë

Skandali është denoncuar edhe nga KLSH, Prokuroria e Përgjithshme vazhdon të heshtë

Në disa numra radhë të saj, Gazeta “55”, disa ditë më parë, zbardhi dosjen e “faljes” që Edi Rama i bëri besnik Sulajt, mikut të itj, pronar të kompleksit “Taiwan”. Jo vetëm kaq, por gazeta i tërhoqi vëmendjen edhe Prokurores së Përgjithshme, që të fillonte hetimet për këtë dosje.
Sipas denoncimit të Gazeta “55”, në kundërshtim me ligjet dhe për llogari të klientit të tij të preferuar, mësohet se Edi Rama privatizoi shumë herë më lirë 1300 m2 truall në Parkun “Rinia” në qendër të kryeqytetit.
Kundër çdo ligji të shkruar e të pashkruar, Edi Rama, pa pasur aspak kompetencë shitjen e trojeve publike të Tiranës, i shiti Sulajt, 1300 m2 tokë me një çmim më se qesharak. Sipas kontratës së jashtëligjshme të shitjes së tokës, mësohet se Edi Rama, e ka shitur truallin tek “Taiwani”, me një çmim prej 12 mijë lekë (të reja) për m2.
Shkeljet e Edi Ramës, vazhdojnë pastaj, me “inkurajimin” e legalizimit të objektit që dyfishoi sipërfaqen, por edhe të truallit nën këtë objekt, i dyfishuar edhe ky në sipërfaqe. Legalizimin e objektit dhe i truallit, të rritur në sipërfaqe dy herë, Edi Rama, ka marrë guximin ta bëjë, shumë më herët se dalja e një ligji për legalizimin. Ndërsa një ligj për legalizimet, u miratua vetëm pas zgjedhjeve të 3 korrikut 2005, saktësisht pas ndryshimit të konfigurimit politik, Edi Rama e nxiti këtë proces, më tepër për të mbuluar abuzimin e tij, nisi procedurat e legalizimit, shumë më herët miratimin e një ligji që rregullonte këtë proces.
E ndërsa ky abuzim, me gjithë përpjekjet e Edi Ramës, për ta mbuluar sa të mundej, “ngeci” te Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, e cila nuk pranoi ta regjistrojë si pronë, abuzimi nuk ka kaluar pa rënë në sy edhe të Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH). Në një raport të tij, jo më larg se një vit më parë, KLSH ka konstatuar shkeljen e bashkisë së Tiranës, e cila ka shitur 1300 m2 tokë, duke mos qenë e regjistruar më parë në regjistrat e hipotekës, si pronë e kësaj bashkie.
Abuzimi i radhës, si gjithmonë ka kaluar pa rënë në sy vetëm nga Prokuroria e cila as pas raportit të KLSH-së, nuk ka ndërmarrë asnjë hetim të mundshëm për zbardhjen e këtij skandali me tokën publike në Tiranë.
Dosjet e abuzimeve të Edi Ramës me trojet publike në Tiranë, nuk kanë të mbaruar.
Gazeta “55”, gjithashtu ka hedhur dritë nëpërmjet dokumenteve, abuzimin e kryebashkiakut kryesocialist të Tiranës, me një rrugë në Tiranë, që e fshiu nga harta e kryeqytetit dhe ia dha me qira, për 80 mijë lekë (të vjetra) në vit mikut të tij Dash Peza. Nga ana e tij, Dash Peza, ngriti një pallat 12-katësh.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›