E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkia e Tiranës cakton zonat e parkimit me pagesë



Nga 15 gushti, të gjithë ata që do të duan të parkojnë automjetin në disa nga zonat kryesore të kryeqytetit, do t'u duhet të marrin një biletë, që kushton 100 lekë/ora.

Bashkia e Tiranës përmes një projekti "pilot" ka vendosur të administrojë ndryshe sistemin e parkimit me pagesë, i cili synon ndarjen e sistemit të shitjes së biletës nga kontrolli. Drejtori i Drejtorisë së Transportit dhe Lëvizshmërisë në këtë bashki, Enton Punavija, prezantoi dje edhe detajet për këtë nismë. Saktësisht, harta e zonave ku do të aplikohet projekti përfshin bulevardin "Dëshmorët e Kombit", duke filluar nga kryqëzimi mes dy ministrive, deri tek "Ura e madhe e Dajtit", bulevardin "Gjergj Fishta", nga "Ura e madhe e Dajtit", deri tek ura "Dëshmorët e 4 Shkurtit". Po kështu, përfshihet kryqëzimi i rrugës "Myslym Shyri" me rrugën "Dëshmorët e 4 Shkurtit", deri tek "Ura e re e Bllokut". Një zonë tjetër është ajo pranë stadiumit "Qemal Stafa" ose sheshi "Italia", me të gjithë rrethimet e tij. Bileta e parkimit nga drejtuesit e automjeteve do të mund të gjendet në një sërë pikash shitjesh, që do të vendosen në afërsi të vendparkimeve. Me blerjen e kësaj bilete, drejtuesit duhet ta vendosin atë pranë xhamit brenda makinës, në një vend të dukshëm. Policia Bashkiake është struktura që do të bëjë ushtrojë kontrollin për pajisjen me biletën e parkimit, ndërkohë që për kundravajtjet do të zbatohen sanksionet e parashikuara në Kodin Rrugor, deri në heqjen e mjetit me karroatrec.
Pikëpyetjet e projektit
Bashkia synon që me aplikimin e kësaj mënyre të re administrimi, të ndajë sistemin e shitjes nga ai i kontrollit, çka forcon idenë që mënyra aktuale e menaxhimit është lehtësisht e manipulueshme. Në disa nga zonat ku Bashkia e Tiranës synon që të zbatojë projektin "pilot", ekziston forma e vjetër e aplikimit të tarifës së parkimit, pjesë që menaxhohet nga Policia Bashkiake. Mënyra aktuale konsiderohet e manipulueshme, pasi jo pak herë personat që e ushtrojnë shitjen dhe kontrollin për pagesën e tarifës së parkimit preferojnë të "mbyllin" njërin sy, nëse marrin gjysmën e tarifës që nuk shkon në arkën e Bashkisë. E paqartë është edhe skema e aplikimit të tarifës së Bashkisë, në rastet kur kohëzgjatja e parkimit shkon deri në disa orë. Ideja që parashikohet të aplikohet për kohëzgjatjen maksimale të një parkimi nuk përfshin më shumë se tre orë. Por kjo do të krijonte probleme për shumë prej qytetarëve, të cilët për shkak të rrethanave apo edhe të punës, do të jenë të detyruar të parkojnë për më shumë se tre orë. Nga Bashkia nuk sqarohet nëse për tetë orë parkim, një qytetari, i cili mund ta ketë zyrën pranë zonës ku do zbatohet projekti, do t'i duhet të paguajë 800 lekë apo do t'i duhet të dalë dhe të lëvizë makinën në vendparkime të ndryshme, për të respektuar 3-orarshet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›