E Shtunë, 31 Tetor 2026

Belgjika: Vizat, brenda dhjetorit 2010



Belgjika mbështet heqjen e vizave dhe marrjen e statusit të vendit kandidat nga Shqipëria, sikundër bën thirrje për zgjidhjen e krizës politike në vend.

Këtë mesazh e dha dje kreu i qeverisë belge, Yves Leterme, gjatë një takimi dhe më pas në një konferencë të përbashkët për shtyp me Kryeministrin Sali Berisha, ku ndër të tjera u firmos një marrëveshje për të kthyer në Shqipëri rreth 93 të burgosur shqiptarë, të cilët vuajnë dënimin në shtetin belg. “Për sa i përket integrimit në Bashkimin Europian, shfrytëzoj rastin të theksoj sërish se Belgjika është plotësisht në favor të integrimit në Bashkimin Evropian të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor në përgjithësi dhe në veçanti për integrimin e Shqipërisë në BE. Ne diskutuam hapat e ardhshme për konsiderimin e aplikimit të Shqipërisë për anëtarësimin në BE dhe udhërrëfyesin e Shqipërisë për liberalizmin e vizave”, - tha Leterme. Duke u ndalur veçanërisht në çështjen e vizave, ai u shpreh se: “ne shpresojmë se raporti do të jetë pozitiv, kështu që procedura legjislative e procesit, e ashtuquajtura procedura e vendimit, e cila çon në lëvizjen pa viza, të finalizohet në muajt e ardhshëm. Dhe unë personalisht shpresoj që kjo të bëhet e mundur brenda Presidencës belge të Bashkimit Evropian”. Nga ana e tij, kreu i qeverisë shqiptare theksoi se Tirana zyrtare po i plotëson të gjitha kushtet e vendosura nga Komisioni Europian për heqjen e regjimit të vizave. I pyetur në konferencën e përbashkët për shtyp, nëse marrëveshja e nënshkruar mes Shqipërisë dhe Belgjikës për rikthimin e të burgosurve bëhet në shkëmbim të marrjes së vizave brenda presidencës belge, kreu i qeverisë shqiptare tha se: “marrëveshja që nënshkruam sot nuk ka absolutisht të bëjë, është një koincidencë me presidencën e Belgjikës. Kjo është e vërteta dhe marrëveshje të tjera do të nënshkruhen me tej. Dhe nëse shihni arkivat me këtë vend, ne kemi, unë mendoj, një prej kuadrove ligjorë më të plota për bashkëpunim. Tani ne do të kemi edhe nga vende të tjera, po negociojmë, kjo është një politikë”. Lidhur me çështjen e vizave, kryeministri Berisha tha se qeveria ka ndërmarrë një fushatë sensibilizimi për qytetarët, në mënyrë të që mos përsëritet fenomeni i azilkërkuesve si në fillim të këtij viti. “Vetëm një moment lidhur me liberalizimin e vizave, ne po menaxhojmë një fushatë PR shumë intensive për qytetarët tanë, për t’u shpjeguar atyre se çfarë do të thotë kjo. E dyta, ne kemi krijuar një strategji të tërë për ata që do të riatdhesohen, sepse ata mund të kenë menduar se mund të qëndrojnë më gjatë. Komisioni kërkoi disa kushte dhe ne po i përmbushim të gjitha ato”, - tha Berisha. Kreu i qeverisë shqiptare zhvilloi takime me Presidentin e Dhomës së Përfaqësuesve, André Flahaut, zv/presidentin e Senatit, Armand De Decker dhe kreun e Bashkisë së Brukselit, Freddy Thielemans.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›