E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Përgatituni për lokalet



Kryetari socialist Edi Rama u kërkoi krerëve të PS në rrethe të nisin përgatitjet për zgjedhjet vendore.

Në takimin e parë pas zgjedhjes së tyre me krerët më të lartë të PS-së, përfshirë këtu Ramën, kreun e grupit socialist dhe njëkohësisht kryetar i Asamblesë Kombëtare Ruçi, Sekretarin Ligjor në PS, Xhafaj dhe sekretarin organizativ Klosi, drejtuesit e PS në rrethe janë njohur me situatën politike në vend nga kreu socialist, por kanë marrë dhe udhëzimet e para për të nisur menjëherë nga puna. Në fokus, sipas Ramës, duhet të jenë zgjedhjet vendore të cilat do të zhvillohen në muajin prill të vitit të ardhshëm, ndërsa Presidenti i Republikës deri në muajin shtator pritet të shpallë datën e tyre. Një pjesë e mirë e tyre kanë qenë dhe më parë drejtues të PS në rrethe apo bashki, të cilët ishin eliminuar në zgjedhje të mëparshme, por me eksperiencë organizative në PS, ndërsa pjesa e të rinjve kanë kërkuar më shumë sqarime nga kreu socialist, se si duhet të organizohet puna. Rama gjatë fjalës së tij, e cila ka zgjatur rreth një orë me drejtuesit lokalë, i ka kërkuar evidentimin e të gjithë problematikës në zonat e tyre dhe harmonizim sa më të mirë me deputetët dhe të zgjedhurit lokalë, në komuna dhe bashki. Për këtë, ai u kërkoi atyre një informacion të hollësishëm mbi situatën elektorale në zona, lëvizjet e fundit që mund të jenë bërë që pas zgjedhjeve të qershorit 2009, ndikimin dhe efektet që ka pasur aksioni politik i socialistëve gjatë këtyre 13 muajve, si dhe evidentimi i burimeve njerëzore që PS do të duhet të përdorë në zgjedhjet e ardhshme vendore.
Qejfmbetjet
Në takimin e djeshëm me krerët e rretheve, Rama i është përgjigjur dhe shqetësimit të transmetuar nga disa të zgjedhur që kanë shprehur ankesa për rolin e deputetëve në këto zgjedhje. Rama ka kërkuar që të tejkalohen prej tyre të gjitha qejfmbetjet e shkaktuara nga këto zgjedhje dhe kjo, sipas tij, të vijë nga zgjedhja e kandidatëve humbës në postet e tjera të strukturës së rrethit, siç janë sekretarët e rrethit dhe koordinatorët e tyre në çdo njësi vendore. çdo rreth do të ketë një kryetar, i cili u zgjodh nga asambleja e zgjeruar e rrethit, një sekretar i cili do të zgjidhet nga asambleja e rrethit dhe nga një koordinator për çdo njësi vendore, i cili do të bëjë lidhjen mes strukturës së partisë në komunë apo bashki me atë të rrethit. Rama i ka kërkuar atyre të kenë një bashkëpunim sa më të mirë me deputetët e zonës së tyre. Nga drejtuesit e PS-së në rrethe është kërkuar të sqarohet dhe statusi i tyre, nëse ata do të jenë me rrogë apo vullnetarë në detyrën që do të përmbushin në krye të kësaj strukture. Më pas, drejtuesit e PS dhe të sapozgjedhurit e PS në rrethe kanë qëndruar për drekë në një nga restorantet e kryeqytetit pranë Stacionit të Trenit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›