Formulari A2, pas problemeve me notat e provimeve, shtyhet afati
Notat e provimit me zgjedhje për rreth 3 mijë maturantë që nuk i kishin marrë ende, janë dërguar dje nëpër shkollat përkatëse. Po dje, janë nisur edhe notat e provimit të Matematikës për disa nga maturantët e Krujës. Lajmin e bëri të ditur Ministria e Arsimit dhe Shkencës, pas situatës së krijuar, kur një sërë maturantësh nga qytete të ndryshme u mblodhën para godinës së MASH për të kërkuar shpjegime rreth vonesave. Sipas maturantëve, për shkak të mungesës së notës së tretë të provimeve ata kishin probleme për plotësimin e Formularit A2, afati i dorëzimit të të cilit është data 2 gusht. Por MASH nga ana e saj, për shkak të vonesës së notave të provimeve, u ka lënë afat të mëtejshëm maturantëve, të cilët mund të dorëzojnë Formuarin A2 në momentin që do të duan, pranë drejtorive të shkollave, ku kanë studiuar 4 vjet. Nxënësit që kanë pasur probleme tashmë janë të identifikuar dhe toleromi në afat do të bëhet vetëm për këtë kontingjent. Në të gjithë gjimnazet e vendit numërohen rreth 3 mijë maturantë, që kanë pasur probleme për faktin se nota e provimit me zgjedhje ende nuk ishte deklaruar, ndërkohë që këtij numri i shtohen edhe disa nga maturantët e Krujës, të cilët nuk kishin marrë notën e provimit të Matematikës. Formulari A2 është shpërndarë nëpër shkolla prej më shumë se dhjetë ditësh dhe maturantët janë të detyruar ta plotësojnë dhe dorëzojnë pas 15 ditësh. Formulari A2 përmban programet e studimit për gjithë universitetet publike në vend dhe maturantët kanë të drejtë të zgjedhin dhjetë prej tyre si alternativa.