Shkarkohet kreu i këshillit të qarkut
Të djathtët shkarkojnë Agron Sharrën, kreun e Këshillit të Qarkut në Vlorë. Një mbledhje e jashtëzakonshme me mocion mosbesimi ndaj kreut të Këshillit të Qarkut u zhvillua dje që nga ora 12:00 mes debatesh të shumta të këshilltarëve, ndërsa prej disa ditësh kërkohej me ngulm nga këshilltarët e djathtë, mocioni i mosbesimit ndaj Agron Sharrës. I pranishëm në mbledhjen e thirrur nga prefekti Hasan Halili, ka qenë dhe vetë kreu, tashmë i shkarkuar i Këshillit të Qarkut, Agron Shara, i cili ka qëndruar deri para momentit të votimit, ku nga 59 këshilltarë, 37 prej tyre vendosën rrëzimin e Sharrës dhe emërimin në këtë post të Ylli Porit, i cili aktualisht është kreu i PD të Sarandës. Sharra, pak kohë më parë ka qenë dhe kryetar i Partisë Demokratike të degës së Vlorës.