E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në kërkim të modelit

(Nipi dhe gjyshi, një simbiozë brezash)

1. Ngjarja
Në këtë vapë të paparë, vendi më i mirë ku mund të shkosh të freskohesh janë pishinat. Tirana, ndonëse është metropol gjendet jo pranë detit, kjo është një nga ato të këqijat që ajo ka dhe gjatë ditës apo në fundjavë pishinat i gjen të mbipopulluara. E kisha lënë të takohesha me një mikun tim akademik, prof. Gudar Beqirajn për të pirë një kafe. U telefonuam, siç ndodh rëndomtë në këto takime dhe kafen prof. Gudari ma la te pishinat. Natyrisht, u habita paksa nga ky fakt, po mendova, pasi mbylla telefonin, se si sportist që është, ndoshta ky vend i duket më i përshtatshëm për të gjerbur kafenë dhe për të biseduar rreth disa problemeve tona. Më erdhi për të qeshur kur ma la takimin te pishinat, po thashë se edhe akademikët tani janë bërë njerëz praktik, ndonëse prof. Gudari shquhet për prakticitetin e tij.
Më kujtohet që për herë të parë jemi takuar së bashku në një aktivitet të organizuar nga shoqata “ASAG” dhe ajo që më bëri përshtypje ishte pasioni dhe kujdesi që prof. Gudari tregonte për nipin e tij, një djalosh bukurosh, 6-vjeçar, që këndonte në mënyrë mahnitëse, aq sa të gjithë kur mbaroi kënga, ngelën të mahnitur dhe shpërthyen në ovacione, por më i emocionuar nga të gjithë ishte “gjyshi”. Në momentin e parë nuk kuptova që ishte gjyshi, po mendova se qe i ati dhe realisht u emocionova kur vëreja se sa me përkujdes dhe me delikatesë e trajtonte nipin, aq sa më dukej sikur ishte një menaxher i Dilanit të vogël. Kur mbaroi aktiviteti, bukuroshi i vogël u drejtua nga ne dhe me sigurinë e një këngëtari të madh na u prezantua: Dilan Reka. Njeriu që qe përlotur ishte gjyshi. Ishte një moment shumë mbresëlënës. Kjo ishte mbresa e parë dhe atë ditë realisht u ngacmova për të shkruar, pasi kishte nja dhjetë ditë që nëpër mediat e ndryshme shkruhej rreth fëmijëve të braktisur dhe thashë: “Ja një model që duhet promovuar”. Ky ishte impresioni i parë. Dhe kjo gjë më kish mbetur në kujtesë. Teksa i afrohesha pishinave, po mendoja me vete se si mundet që kjo shoqëria jonë, e mbarsur me kaq probleme, ta bëjë jetën më të gëzueshme dhe më të qetë? Shihja plot të rinj që dilnin nga pishinat dhe diku dëgjoj një zë që thërriste: “Shpejt! Shpejt se kemi garat e notit”.
Më kujtohet se kur isha e vogël ndiqja nga pas skuadrën e volejbollit të femrave, pasi aty luante nusja e dajës dhe tifozllëku ynë ishte i paparë. Për herë të parë aty njoha Kreshnik Tartarin, Eva Kavajën, Ela Tasen, të cilët më vonë bënë emër në të gjithë republikën. Për herë të parë njoha shpirtin e garës dhe ndjenjën e kolektivitetit, po pa ditur se si emërtoheshin ato.
Këto ishin kujtimet që më vinin në kokë teksa u afrohesha pishinave. Pamja që m’u shfaq përpara ishte shumë mbresëlënëse. Prof. Gudari qëndronte në pjesën e bordurës së pishinës, veshur me pantallona të shkurtra dhe ai, nipi i vogël, tanimë 10-vjeçar, Dilani, që na mahniti me zërin e tij atë mbrëmje, stërvitej për në kampionatin e notit. Ishte një pamje mahnitëse. Nuk kish gjë më të bukur kur shihje se si gjyshi dhe nipi, të dy bashkë, mundoheshin të ndihmonin njëri-tjetrin për të realizuar ëndrrën e përbashkët të daljes kampion të Dilanit të vogël. Ishte shumë e bukur pamja që të ofrohej.
Më kujtohet që në një nga veprat e Aleksandër Dymasë, “Konti i Monte Kristos”, në një vend autori shprehet: “Fajet e etërve do t’i paguajnë bijtë e tyre”. Nuk di pse më pëlqeu ta ndryshoja këtë thënie që modelet e prindërve do t’i ndjekin nipërit e tyre. Biseda me profesorin vajti shumë e gjatë dhe e ngrohtë. Folëm për shume gjëra, po ajo që me bëri më shumë përshtypje ishte dashuria dhe pasioni i madh që Gudari kish për sportin, sidomos peshëngritjen e quante si nja nga vlerat më të mëdha të njerëzimit. Dhe kjo është mëse e vërtetë. Tani, në prag të Lojërave Olimpike, i gjithë njerëzimi është bërë gati t’i ndjekë ato, duke dhënë nga vetja më të mirën dhe më të bukurën, atë që quhet bukuri dhe forcë njerëzore. Teksa dëgjoja Gudarin që fliste me pasion për sportin e peshëngritjes, më vinin në mend sa e sa lojtarë dhe njerëz të sportit dhe të artit, të cilët me përkushtimin e tyre kanë treguar se forca e njeriu qëndron të karakteri i tij. E admirova Gudarin në këtë moment dhe kuptova që tek ai qëndron jo vetëm dashuria për profesionin e matematikanit apo akademikut, vlera që realisht respektohen dhe nderohen, por edhe për dashurinë dhe përkushtimin që tregonte për njerëzit e sportit dhe për të gjithë atë armatë të sportistëve që debutojnë sot. Po ajo që më ngacmoi më shumë ishin raportet shumë interesante dhe modeli nip-gjysh.

2. Gjyshi-nipi dhe shoqëria shqiptare
“I ments sana i corpori sana”, (Trupi i shëndoshë në mendje të shëndoshë), - thotë një proverb latine.
Ajo për të cilën sot kemi nevojë si shoqëri është të promovojmë modelet pozitive. Në morinë e pasigurisë dhe në krizën e modeleve, në aspektin social, modelin e Dilanit dhe të Gudarit, nipit dhe gjyshit, do ta shihja si një nga situatat më pozitive dhe më të nevojshme për t’u promovuar në shoqërinë shqiptare. Në shoqërinë e sotme, prindërimi është një nga institucionet më të dëmtuara, pasi përditë po shfaqet fenomeni i divorcit, i dhunës dhe i krizës së identiteteve. Shoqëria po shkon drejt bjerrjes së traditës dhe shfaqjes së modernes, e cila hera-herës bëhet produkt i vesit dhe jo i raporteve të drejta. Në këtë këndvështrim, marrëdhënia gjysh-nip, në rastin konkret dëshira e gjyshit për ta bërë të aftë nipin, jo në mënyrë artificiale, por për t’i zhvilluar prirjet dhe aftësitë, si sportive, ashtu dhe sociale, pasi sporti ndihmon në socializimin e njeriut, është një nga raportet humane dhe sociale më të mrekullueshme. Nga njëra ana kemi nipin, në rastin konkret Dilanin, i cili me plot bindje thotë: ”Unë në 2012-n do të jem pjesëmarrës në garat olimpike”. Pasi ka fituar katër medalje në gara kombëtare dhe përgatitet për të marrë pjesë në garat ndërkombëtare dhe, nga ana tjetër, gjyshin, Gudarin, i cili ka krijuar një raport që me të vërtetë do ta kishin pasur zili të gjithë për mënyrën sesi e menaxhon, e orienton dhe i zhvillon aftësitë nipit, pasi ka kaluar një sërë sportistësh dhe sportistesh me emër në fushën e sportit të peshëngritjes.
Nga ana tjetër, sot, kur realisht mirëmenaxhimi dhe orientimi i drejtë i të rinjve dhe i fëmijëve në fushën e sportit është bërë mëse evident, ky model duhet përkrahur nga të gjithë gjyshërit, të cilët mund të kontribuojnë në mirërritjen e fëmijëve, pasi shoqërimi i fëmijëve nga gjyshërit, në aktivitete sportive është ndihma më e madhe dhe modeli më i mirë që u jepet nipërve, duke u bërë pjesë aktive jo vetëm e mirërritjes së tyre, po edhe në ndërtimit e marrëdhënieve të shëndosha sociale, marrëdhënie, ku të dyja grupmoshat japin e marrin, pa vënë në rojë njëri-tjetrin, po duke krijuar lidhjen e fortë të bashkëpunimit, si një nevojë për krijimin e zinxhirit më të fortë të AND-së, kapitalin-social, zinxhir, që prej disa kohësh po i mungon kësaj shoqërie.

3. Hapy end
Do të doja shumë që sadopak në këtë shkrim të kisha prekur atë pikë nevralgjike për të cilën të gjithë jemi koshient dhe të gjithë duhet të kontribuojmë. Kjo lidhjet më mirërritjen e fëmijëve dhe brezit më të ri, që janë adoleshentët. Pas Luftës së Dytë Botërore në Gjermani u vërejt se numri i dhunës së ushtruar ishte shumë i madh. Pas analizave të shumta sociologët dhe psikologët arritën në konkluzion se pjesa më aktive në veprimet e dhunshme ishin të rinjtë dhe ajo që ata vunë re me keqardhje ishte se mungonin mjediset ku të rinjtë të argëtoheshin, të merreshin me sport, pra në njëfarë mënyrë të shkarkonin streset. Pas një plani të detajuar, qeveria mori masa për ndërtimin dhe masivizimin e sporteve dhe shumë shpejt, pas 6 muajve, u vu re një rënie drastike e këtyre veprimeve vandale. Për këtë arsye lojërat që nga lashtësia na kanë ardhur si një nevojë për të hequr stresin dhe larguar vesin. Ndaj dhe modeli Gudar- Dilan Reka janë modeli që sot në shoqërinë tonë duhen promovuar, duke mos ngelur një model i vetëm, por duke u propaganduar që të ndiqen nga shumë gjyshër e nipër të tjerë. Thonë që nipërit dhe mbesat janë mjalti i mjaltit. Sigurisht, çdo gjysh do të donte ta ndiqte këtë shembull. Mos gurroni, o gjyshër të mirë. Ndihmojini nipërit dhe mbesat tuaja, pasi kjo është edhe detyra më fisnike e njerëzimit, që ta bëjë nipin që të jetë më i mirë se gjyshi, atëherë dhe bota do të jetë më e bukur dhe njeriu do të jetë më njerëzor. Faleminderit Gudar dhe urime Dilan. Së shpejti kampion në lojërat olimpike.
Nora Malaj
*Analiste për problemet sociale

6 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›